Guta Lindore, mizoria, tmerri dhe shpresa në një fotografi

Mos i humb

Tmerri i përjetuar nga një baba në rajonin e rrethuar të Gutës Lindore i cili është fotografuar teksa shpëton foshnjen e tij gjatë një sulmi te regjimit të Asadit, sërish ka tërhequr vëmendjen drejt këtij rajoni.

Në sulmet e djeshme ajrore dhe tokësore të regjimit ndaj Gutës Lindore, rajon i kontrolluar nga opozitarët, jetën humbën 74 civilë.

Said el-Masri, punonjës i Mbojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, iu bashkangjit aktiviteteve të kërkim-shpëtimit pasi regjimi goditi shumë vende në këtë rajon që nga orët e paradites.

Megjithatë, bombardimet goditën edhe lagjen ku ndodhet shtëpia e tij, në të cilin gjendej foshnja e tij tremuajshe Ibrahimi.

Pasi nxori foshnjen nga rrënojat, Masri u fotografua teksa vraponte i pluhurosur.

Fotografitë shfaqin babain Masri i cili vrapon i tmerruar dhe me shpresë për ta dërguar foshnjen në spital dhe gjakun nga plaga në kokën tij.

Mbrojtja Civile shpërndau çastin në rrjetet sociale me mesazhin: “Gjëja më e vështirë me të cilën përballet një njeri është plagosja e fëmijës së tij të vetëm në luftë nga armët”.

Skena më e dhimbshme e luftës civile

Guta Lindore ndodhet vetëm dhjetë kilometra larg qendrës së Damaskut, kryeqytetit sirian të kontrolluar nga regjimi i Asadit.

Rajoni prej 104 kilometrash katrorë në lindje të Damaskut është bërë skenë e katastrofës më të madhe të luftës civile. Rreth 400 mijë civilë, prej të cilëve gjysma fëmijë, prej pesë vitesh jetojnë duke u përballur me kequshqyerje, mungesë barnash dhe sulme intensive.

Deri në prill të vitit të kaluar, futja e ushqimit dhe barnave në rajon, edhe pse në masë të kufizuar, mundësohej fshehurazi, përmes tuneleve të fshehta dhe tregtarëve. Megjithatë, që atëherë, hyrja e ushqimeve dhe barnave është pamundësuar.

Turqia, Rusia dhe Irani në takimin e mbajtur në Astana më 3 dhe 4 maj të vitit 2017 e shpallën Gutën Lindore si një prej “zonave jokonfliktuale”. Garantuesi i regjimit, Rusia, më 22 korrik shpalli hyrjen në fuqi të armëpushimit. Megjithatë, sulmet vazhduan, ndërsa më 29 dhjetor të vitit 2017 u intensifikuan.

Krahas sulmeve ajrore dhe tokësore, foshnjet dhe fëmijët kanë pësuar më së shumti nga lënia në uri, armë kjo tjetër e regjimit. Në shumë ngjarje të xhiruara nga AA, shiheshin fëmijë të plagosur rëndë, të cilëve nuk u mbeti asgjë tjetër përpos të prisnin vdekjen. Një prej tyre ishte edhe foshnja Kerim, i cili humbi të ëmën dhe njërin sy nga një bombardim teksa ndodhej në prehrin e së ëmës. Foshnja Kerim u bë simbol i rrethimit në Gutën Lindore pasi bëri xhiron e botës.

Organizatat ndërkombëtare shpesh herë e riafirmojnë thirrjen për ndihmë humanitare në Gutën Lindore.

Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare të OKB-së, Jens Laerke, theksoi se përleshjet duhet ndalur për të paktën një muaj për dërgimin e ndihmave humanitare, ndërkohë që Fran Equza, përfaqësuesi i UNICEF-it për Sirinë, potencoi se 120 fëmijë duhet evakuuar urgjentisht nga Guta Lindore./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit