Haradinaj: Do të punojmë që të përmbushen kërkesat e komunave

Mos i humb

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të “Forumit Konsultativ Qeveri – Komuna” ka pritur në takim kryetarët e komunave të Kosovës.

Ky takim është iniciuar nga kryeministri Haradinaj dhe është i dyti me radhë i cili në kuadër të “Forumit Konsultativ Qeveri – Komuna” shërben si një platformë e një dialogu të përhershëm në mes të dyja niveleve.

Haradinaj gjatë fjalës hyrëse të takimit tha se sot me miratimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës të paluajtshme të komunës nga Qeveria e Kosovës, komunat do ta kenë mundësinë e operimit të pronave në interesin publik dhe të zhvillimit ekonomik në vend.

Duke kujtuar takimin e parë me kryetarët e komunave, Haradinaj tha se do të punojnë që të përmbushen kërkesat e komunave që të kenë në posedim pronat.

“Njëra ka të bëjë me pronat me mundësitë që komunat të kenë në posedim pronat që të operojnë për interesin e publikut, projekteve publike por edhe për interesin e zhvillimit ekonomik. Ju siguroj dhe e shihni edhe vetë që nga takimi i parë që nuk jemi ndalur, por është e mirë që po krijojmë një situatë ligjore tani ku më në fund jeni zot shtëpie në komunat e juaja”, tha Haradinaj.

Ai tha se tema e dyte e këtij takimi lidhet me financimin dhe përkrahjen buxhetore të projekteve të komunave dhe me projektet që janë në bashkëfinancim Komunë- Qeveri. Kreu i Qeverisë bëri të ditur se do të trajtojnë edhe temën e projekteve komunale që kanë nevojë për ndihmë nga institucionet monetare.

Në një konferencë për media pas takimit koordinatori nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiti kërkoi që Ligji i miratuar sot i cili u mundëson komunave dhënien për shfrytëzim dhe këmbim të pronës të kalojë në Parlament sa më parë.

Kryetari i Komunës së Shtimës, Naim Ismajli theksoi se ky ligj ka qenë pengesë për zhvillimin ekonomik jo vetëm të komunave sepse, sipas tij, zhvillimi ekonomik i vendit ndodhë në komuna.

“Ky ligj ka hapur mundësitë dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik, të komunave që tokën e tyre ta japin në shfrytëzim me procedura ligjore por jep edhe mundësinë e shfrytëzimit edhe të pronave që janë nën autoritetin e nivelit qendror siç është rasti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe i Agjencisë së Pyjeve”, tha Ismajli.

Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se: “Bëj apel tek të gjitha partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës që ta kalojnë ligjin dhe ta rregullojnë me kërkesat e të gjithë kryetarëve të komunave që ishim brenda”.

Kujtojmë se në takim po ashtu ishte i pranishëm edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit