Hoxha: Investimet infrastrukturore për vitin 2018 në vlerë prej 3.4 miliardë euro

Mos i humb

Këshilli Kombëtar për Investime i Republikës së Kosovës mbajti takimin e shtatë me radhë të kryesuar nga ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Ministrja e Integrimeve uropiane e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha gjatë fjalës së saj u shpreh se Këshilli Kombëtar për Investime është edhe një përpjekje për ta avancuar procesin e integrimit evropian. Ajo tha se përpjekjet e BE-së për zhvillimin e rajonit u rikonfirmuan edhe në procesin e Berlinit të filluar në gusht të vitit 2014 duke bërë të ditur se është riafirmuar po ashtu rëndësia e përmirësimit të ndërlidhjes dhe interkonektivitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Ajo theksoi se qellimi parësor i procesit të Berlinit ishte krijimi i një liste të projekteve kryesore infrastrukturore që do të ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të Ballkanit Perëndimor duke bërë të ditur se BE në këtë drejtim ka ndarë një miliard euro për financimin e projekteve infrastrukturore.

Hoxha theksoi se Procesi i Berlinit është dëshmuar si kontribues në kohën e duhur drejt axhendës së zgjerimit të BE-së dhe se ky proces do të mundësojë lidhjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me BE-në duke ulur koston e transportit, sigurimin e furnizimit me energji, krijimin e parneriteteve afatgjata dhe transferin e teknologjisë.

“Gjatë këtij viti në koordinimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe Ministrisë së Financave ne kemi përditësuar listën prioritare të projekteve për vitin 2018 dhe tash para nesh kemi programin e investimeve infrastrukturore i përbërë nga 63 projekte në fushën e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social në vlerë totale prej 3.4 miliardë euro”, tha Hoxha.

Ndërsa, ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza tha se janë në proces të identifikimit të projekteve. Sipas tij, në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës në vend janë nënshkruar marrëveshjet me institucionet ndërkombëtare financiare për projektin për rehebilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ai tha se funksionalizimi i kësaj linje është e rëndësishme për Kosovën. “Ky projekt do të lidh Kosovën me dy shtetet fqinje nga porti i Selanikut drejt shteteve evropiane. Ai tha se realizimi i këtij projekti do të fillojë në vitin 2018”, tha Hamza.

“Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10 do të realizohet me bashkëfinancim nga Komisioni Europian, Banka Europiane për Investime dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në tremujorin e parë të vitit 2018 së bashku me BERZH-in do të bëjmë edhe nënshkrimin e marrëveshjes së grantit për pjesën e parë të financimit të BE-së. Mund të themi sot se pjesa e financimit për këtë projekt është siguruar mjaftueshëm për të filluar punimet në projekt”, tha Hamza.

Në vazhdim ministri Hamza tha se kanë siguruar financimin për projektet tjera të dala nga lista prioritare siç janë pjesa e mbetur e ndërtimit të rrugës Prishtinë-Pejë e cila ka një vlerë të financimit prej 80 milionë eurosh, punimet e të cilës do të fillojnë nga pjesa e dytë e vitit 2018, projektin tjetër që ka të bëjë me rehabilitimin e kanalit Ibër-Lepenc dhe projektin për trajtimin e ujërave të zeza.

Kujtojmë se takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Investime është mbajtur më 30 korrik 2015 i themeluar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës më 8 korrik 2015. Ky këshill shërben si platformë përmes së cilës do të diskutohen planet e financimit për secilin hap të ndërlidhur me projektet infrastrukturore nga lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore, ndërsa qëllimi i tij është që të sigurojë sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit, siç janë buxheti, huatë dhe grantet./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit