Izraeli pezullon marrëveshjen me OKB-në për emigrantët afrikanë

Mos i humb

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pezulluar marrëveshjen me Agjencinë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (OKB), UNHCR, lidhur me dëbimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve afrikanë.

Në një kumtesë të lëshuar nga zyra e kryeministrit izraelit, thuhet se Netanyahu ka takuar ministrin e Brendshëm, Aryeh Deri dhe përfaqësuesit e banorëve të pjesës jugore të Tel Avivit me të cilët ka diskutuar mbi marrëveshjen.

“Pas vlerësimit të avantazheve dhe disavantazheve, vendosa të anuloj marrëveshjen”, ka theksuar kryeministri izraelit.

Një ditë më parë, zyra e Netanyahu-t tha se Izraeli dhe UNHCR kanë nënshkruar një marrëveshje sipas të cilës Izraeli anuloi planet për të dëbuar mijëra migrantë dhe azilkërkues afrikënë.

Sipas marrëveshjens në fjalë, Izraeli do të dërgonte në shtetet perëndimore 16.250 migrantë afrikanë, ndërkohë që mijëra emigrantëve të tjerë do t’u garantohej lejeqëndrimi 5-vjeçar në Izrael.

UNHCR thotë se aktualisht në Izrael ndodhen rreth 40.000 azilkërkues, nga të cilët 27.500 nga Eritrea dhe 7.800 nga Sudani.

Pjesa dërmuese e tyre arritën në Izrael nga Egjipti, në periudhën 2006-2013, para se të vendosej gardhi i sigurisë përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Egjiptit.

OJQ-ja izraelite Hotline for Refugees and Migrants (HRM) thotë se pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve dhe azilkërkuesve janë të përqendruar në jug të Tel Avivit.

Që nga viti 2012, Izraeli ka deportuar rreth 20.000 emigrantë afrikanë dhe azilkërkues të cilët kanë hyrë ilegalisht në vend.

Nga 13.764 aplikime për azil të paraqitura që nga korriku, vetëm dhjetë personave nga Eritrea dhe një sudanezi iu është dhënë statusi zyrtar i refugjatëve.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, kryeministri Netanyahu premtoi deportimin e “infiltruesve afrikanë”, një premtim që shihet si thirrje për mbështetësit e tij të ekstremit të djathtë para zgjedhjeve të vitit 2019.

Mirëpo, qeveria e tij kaloi nën presion të madh ndërkombëtar për të ndaluar trajtimin diskriminues dhe “racist” të azilkërkuesve afrikanë.

Me Ruandën dhe Ugandën duke këmbëngulur se ata nuk do t’i mirëpresin azilkërkuesit e dëbuar nga Izraeli, UNHCR këmbëngul që Izraeli tani duhet të rishikojë statusin e tyre dhe t’i konsiderojë ato për azil brenda Izraelit./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit