Kriza në Bjellorusi/ Liderja e opozitës: Jam kërcënuar me jetë nga autoritetet

Mos i humb

Liderja e opozitës bjelloruse ruse, Maryya Kalesnikava tha se autoritetet e rendit i vunë një qese mbi kokë dhe e kërcënuan se do ta vrisnin, kur u përpoqën ta deportonin me forcë jashtë vendit, në fillim të kësaj jave.

Kështu njoftoi faqja e internetit e pavarur e lajmeve Tut.by, duke cituar avokaten e saj.

Avokatja, Lyudmila Kazak, tha se Kalesnikava kishte paraqitur një deklaratë mbi incidentin dhe po kërkonte veprime ligjore kundër autoriteteve për trajtimin e saj, duke përfshirë Shërbimin e Inteligjencës (KGB) së Bjellorusisë.

Kalesnikava u rrëmbye nga rrugët e Minskut më 7 shtator nga njerëz të maskuar së bashku me dy bashkëpunëtorë të saj.

Të tre, u dërguan më 8 shtator për në kufi, ku autoritetet u thanë atyre të kalonin në Ukrainë.

Kur ata arritën në zonën neutrale midis dy vendeve, Kalesnikava grisi pasaportën e saj në copa të vogla për ta bërë të pamundur që autoritetet ta dëbojnë.

Ajo u dërgua në paraburgim në anën bjelloruse të kufirit. Dy bashkëpunëtorët e saj shkuan në Ukrainë.

Opozita bjelloruse po mbështet në presionin europian për të pasur sukses në dëbimin nga pushteti të Presidentit Lukashenko.

Në një forum online të organizuar nga Këshilli i Europës në lidhje me situatënb e krijuar në Bjellorusi, Svetlana Tikhanovskaya, ish-kandidate për zgjedhjet presidenciale, tani në mërgim në Lituani, e përshkroi me nota dramatike situatën në vendin e saj

“Protestuesit paqësorë janë rrahur dhe arrestuar. Anëtarët e opozitës po përballen me akuza të trilluara dhe kërcënohen me dëbim nga vendi. Ne kemi nevojë për presionin ndërkombëtar mbi regjimin dhe mbi Lukashenkon, i cili dëshpërimisht qëndron në pushtet,” – tha Tikhanovskaya

Në emër të qeverive europiane, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, është shprehur se “BE pret që autoritetet bjelloruse të garantojnë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve për arsye politike para dhe pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 9 gushtit”.

Sipas Brukselit, “represioni i autoriteteve ndaj shoqërisë civile, demonstruesve paqësorë dhe aktivistëve politikë është i pashpjegueshëm, arbitrar dhe plotësisht i papranueshëm”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit