Pse u shty seanca në rastin e Azem Sylës?

Mos i humb

Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve mungoi gjyqtarja Nora Bllaca që ishte pjesë e trupit gjykues në 30 seancat e mundësisë së veçantë hetuese.

Bllaca ka kaluar në Gjykatën e Apelit dhe nuk mund të jetë pjesë e trupit gjykues në Rastin “Toka”.

Kryetari i trupit gjykues Arcadiusz Sedek tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka marre ndonjë vendim për anëtarin vendor të trupit gjykues, pas daljes së Bllacës në Apel.

Sedek shprehu shqetësimin se nëse Bllaca nuk merr pjesë në këtë shqyrtim gjyqësor, dy dëshmitarë që janë dëgjuar tashmë duhet të dëgjohen përsëri.

Bllaca ishte e vetmja anëtare vendore e trupit gjykues.

Seanca në rastin Toka pastaj përfundoi për publikun, ndërsa avokatët u ndalën për të diskutuar rreth çështjes së paraburgimit të të akuzuarve.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”. /Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit