Ballina Ndryshe Sheshi Grande Place shtrohet me qilim lulesh me motive latine

Sheshi Grande Place shtrohet me qilim lulesh me motive latine

74
0

Sheshi Grand Place në Bruksel, i cili ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është mbuluar nga një qilim gjigant lulesh i cili këtë vit është përgatitur me motive meksikane.

Qilimi i cili këtë vit për herë të parë u përgatit me temë latine në sheshin e famshëm turistik është krijuar në bashkëpunim me rajonin meksikan Guanajuato, i cili njihet për artin e qilimave tradicionalë të luleve.

Qilimi gjigant do të mund të vizitohet nga 16 deri më 19 gusht, ndërsa për përgatitjen e tij janë përdorur mbi 500 mijë lule, edhe atë lule dahlia dhe lulja e famshme begonia belge.

Për përgatitjen e qilimit të gjatë 75 metra dhe të gjerë 24 metra, janë angazhuar 100 punëtorë meksikanë dhe belg vullnetarë të cilët kanë filluar punën në orët e mëngjesit dhe brenda tetë orëve përfunduan qilimin i cili krijoi pamje magjepsëse në shesh.

Qilimi i luleve me motiv të zogut, bretkosës dhe diellit, që reflektojnë pasurinë kulturore të rajonit Guanajuato, thuhet të jetë qilimi me motive më gjithëpërfshirëse që kur ka filluar aktivitete në vitin 1971.

Dhjetëra mijëra turistë pritet të vizitojnë sheshin Grand Place në kuadër të aktivitetit i cili do të zgjasë deri më 19 gusht. Për çmim prej gjashtë eurosh, qilimi do të mund të shihet edhe nga ballkoni i godinës historike të bashkisë e cila gjendet në këtë shesh.

Ndryshe, aktiviteti i qilimave prej lulesh nisi në vitin 1971 në Grand Place dhe që nga viti 1986 organizohet në çdo dy vite, ndërsa në të përdoren kryesisht lule begonia të kultivuara në qytetin belg Gent. Belgjika është prodhuesi më i madh i begonias, lule me ngjyra e cila u zbulua në Amerikën Jugore në shekullin 17.

Para dy viteve, në sheshin historik të Brukselit u shtrua qilim me motive japoneze, ndërsa në vitin 2014 qilim turk në përkujtim të përvjetorit të 50-të të migrimit të turqve në Belgjikë./Rtv Islam/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here