Tahiri: Shpresoj që Specialja të mos jetë vetëm përndjekje politike

Mos i humb

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë.

Ftesën e ka konfirmuar vetë Buja, i cili ka deklaruar se ndonëse nuk beson se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi për UÇK-në dhe për luftën e saj të drejtë.

Ai më 17 korrik do të paraqitet para Prokurorisë Speciale.

“Jam i ftuar nga Prokuroria Speciale, paraqitjen do ta kem më 17 korrik në Hagë. Kam pranuar ftesën, e kam konfirmuar pjesëmarrjen në Prokurori. Do ta respektoj këtë dhe do të jem prezent në Gjykatë. Jam ftuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Buja.

Mirëpo pavarësisht se ka pranuar ftesën, Buja e vlerëson Gjykatën Speciale si gjykatë politike dhe të njëanshme.

“Se sa do të ketë drejtësi mbetet të shihet, mirëpo Gjykata Speciale shihet që është gjykatë politike, e njëanshme dhe do të jetë e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Përderisa nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së kanë paralajmëruar ardhjen e ftesave të reja në korrik të këtij viti, përfaqësues të partive politike dhe analistë vlerësojnë se ndër personat që do të ftohen nga kjo gjykatë mund të jenë edhe liderët aktualë të vendit.

I kontaktuar për këtë çështje, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka deklaruar për “Zërin” se ndonëse Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, ajo e qëndron si e pavarur dhe funksionon jashtë territorit të Kosovës.

Tahiri ka thënë se shpreson që ajo të jetë e pavarur në punën e saj dhe të sjellë drejtësi për Kosovën.

“Gjykatat janë të pavarura dhe e bëjnë punën e tyre. Nuk ka nevojë për koordinim mes institucioneve qeveritare dhe gjykatave. Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, që vepron jashtë territorit të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk ka nevojë për koordinim për çështje operacionale të punës së tyre, kështu që ne as nuk njoftohemi e as nuk e dimë, sepse nuk është diçka që duhet të ndodhë. Është gjykatë dhe duhet të funksionojë si e pavarur, shpresoj që të jetë e pavarur”, ka thënë ai.

Kësisoj Tahiri shpreson që Gjykata Speciale të mos jetë vetëm përndjekje ndaj individëve të caktuar, por të sjellë edhe drejtësi për Kosovën.

“Gjykata e ka mandatin e saj dhe se pse është funksionale sot, pres që të jetë një gjykatë e cila do të funksionojë mbi parimet e së drejtës dhe të ketë tamam drejtësi, jo vetëm përndjekje politike”, ka shtuar ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit