Tranzicioni i FSK-së sfidohet nga raportet me SHBA-në për taksën

41
0

Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur tashmë fazën e parë të zbatimit të ligjeve për tranzicionit të saj në Ushtri.

Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018 pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, vetëm një muaj më vonë, ky tranzicion po sfidohet me mospërfilljen që po tregon Kosova ndaj kërkesës amerikane për pezullimin e taksës doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës, si kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel.

Në një letër që zyrtarët amerikanë i kanë dërguar drejtuesve të institucioneve të Kosovës, kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Zyrtarët amerikanë, në letër kanë shkruar se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.

Pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e tarifës, SHBA ka vendosur që të ndërmarrin hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”, thuhet në letër.

Por, zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani beson se këto dallime nuk do të prekin përkrahjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Unë konfirmoj dy gjëra. Së pari, marrëdhënia strategjike speciale e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi, por sidomos në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes, është marrëdhënie vërtetë e avancuar dhe si e tillë asnjëherë nuk vendoset pikëpyetje. Së dyti, mund po ashtu të konfirmoj se situatat dhe debatet publike nuk pasqyrojnë dhe nuk reflektojnë të vërtetën sepse është tepër e qartë se kjo marrëdhënie strategjike, speciale do të vazhdojë edhe më tutje dhe me përkushtimin tonë do të thellohet edhe më tej”, tha Ramadani.

Vetë komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama e ka paralajmëruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për faktin se po rrezikohen të paktën 12 milionë euro mbështetje amerikane për FSK-në.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se autoritet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht kërkesën e amerikanëve për pezullimin e tarifës doganore për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here