Tryeza e Bashës për ekonominë: çfarë tha dhe pse nuk dëgjua?

Mos i humb

Dje, kryedemokrati Basha pati një prezantim paksa më profesional, ku akuzat nuk i hodhi qesim, me atë thjeshtëzimin që të fyen inteligjencën, siç partia e tij i prodhon në seri. Ama zgjodhi momentin e paduhur, një gafë në komunikim, ku ndërsa të gjithë ishin të përqëndruar tek droga e kapur në Maminas, ai jepte shpjegime se çfarë paraje po investohet në ndërtim. Dhe ndodhi më pas që gjithëçka tha, i mbeti në hije…

Dje nisi një stinë ku Lulzim Basha duket se po futet në shinën e një grupimi politik alternativ për marrjen e pushtetit.

Së bashku me ish-kreun e INSTAT, Inen Nurja, kreu i PD-së ka analizuar sipas këndvështrimit të opozitës shifrat e ekonomisë shqiptare.

Një veprim realisht konstruktiv që hap rrugë për debatin normal. Po cilat ishin në pika të veçanta analizat që Partia Demokratike elaboroi në një takim me gazetarët?

Kreu i opozitës tha se rritja e ndërtimit në vend, nuk justifikohet me sasinë e parave të hyra në Shqipëri. Basha ka mbrojtur idenë se paratë e investuara në ndërtim vijnë nga kultivimi i hashashit por edhe tregtia e drograve të forta.

Një denoncim i fortë, por që nuk mjafton për të qenë i besueshëm në publik. Opozita i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që për këtë çështje të nisë një hetim parlamentar, ku deputetët e saj të investigojnë me hollësi.

Ose PD-ja mund të përgatisë një material të plotë për këtë çështje dhe mund ta depozitojë në prokurori me denoncimet konkrete. Madje mund t’jua dërgojë edhe ndërkombëtarëve.

Atëherë plani do të ishte më i plotë dhe do të zhvillohej në një rrafsh më logjik, duke marë nismën, por edhe duke lënë organet e hetimit që të vazhdojnë punën. Natyrisht duke e monitoruar.

Kryeministri Edi Rama i është kundërvënë Lulzim Bashës në këtë argument, duke i përmendur se ndërtimet e mëdha po i bëjnë disa biznesmenë të mëdhenj, të cilët veprojnë në vend prej shumë vitesh dhe kanë “pjesën e luanit” të kapitalizmit shqiptar.

Rama i përmendi emër për emër, duke i thënë se ndërtuesit e mëdhenj janë po ato që kanë ndërtuar dhe fituar kontrata në kohën e qeverisjes së PD-së.

Pra këtu situata bëhet edhe më e qartë: PD i ka dyshimet, i ka emrat e ndërtuesve, të cilët mund t’i thërrasë në komision parlamentar një nga një dhe t’i pyesë se ku i kanë marrë fondet për ndërtimet e reja.

Gjithashtu, Basha akuzoi kontraktuesit e PPP-ve se po pastrojnë para si dhe po rrisin borxhin. Edhe këtu mund të bëjë të njëjtën gjë si me të parat.

Ndërkaq, pjesa e tretë e akuzave të PD-së, është akuza ndaj një banke amerikane në Shqipëri, sipas të cilit është një investim i dyshimtë.

Këtu PD krijoi edhe një lëmsh duke e mpleksur çështjen me pyetjen se përse ABI Bank ka blerë dy banka greke të rëndësishme, që më pas e sqaroi se bëhet fjalë për një bankë.

Çështja e bankave është një rast delikat, por pjesë e sistemit, pasi institucionet financiare janë akuzuar se përdorin fajden jo vetëm si element fitimi, por dhe si mjet “represiv” operimi në tregun financiar. Por sërish edhe në këtë aspekt PD i ka të hapura dyert për një hetim gjithëpërfshirës në Kuvend.

Një komision hetimor ku spektakli të zëvendësohet me argumentin dhe sherri të zëvendësohet me pyetjet. Në SHBA, opozita, siç është Partia Demokratike ka ngritur një komision hetimor për “Russia Gate”. Çdo ditë, komisioni parlamentar, pa shoë e deklarata po pyet një pas një të gjithë njerëzit e Presidentit Donald Trump.

Vetëm procesi i pyetjeve në komisionin hetimor ka prodhuar një tërmet të atillë në Shtëpinë e Bardhë sa Trump-it i është dashur të largojë të gjtihë bashkëpunëtorët e tij. I fajshëm apo i pafajshëm për lidhjet me rusët, komisioni i opozitës amerikane e dha efektin e vet. Lulzim Basha e ka modelin dhe mund ta propozojë.

A, nuk e lë mazhoranca? Atëherë mund të propozojë rrugë alternative. Opozita së pari është propozim, më pas përplasje. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit