“Turqia, Rusia dhe Irani mbështesin integritetin territorial të Sirisë”

Mos i humb

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Rusia, Turqia dhe Irani kanë “mirëkuptim të plotë” për të luftuar terrorizmin dhe për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë.

“Moska, Ankaraja dhe Teherani nuk kanë qind për qind qëllime të njëjta në Siri. Çdo vend mund të ketë qasje të ndryshme ndaj situatës në Siri. Megjithatë, të tre vendet kanë mirëkuptim të plotë për të luftuar terrorizmin dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë”, deklaroi Lavrov.

Komentet e shefit të diplomacisë ruse vijnë gjatë adresimit të tij në “Orën e Qeverisë” në Këshillin e Federatës, ku vlerësoi axhendën. Ai tha se tre vendet kanë arritur të kuptojnë interesat e njëri-tjetrit.

“Këto interesa të përbashkëta ofrojnë punë konsistente dhe efektive në formatin e Astanas”, u shpreh Lavrov.

Rusia, Turqia dhe Irani janë shtetet garantuese që ndërmjetësuan një armëpushim në Siri në dhjetor të vitit 2016, si rezultat i të cilit filluan bisedimet e paqes në Astana.

Për dialogun me SHBA-të, Lavrov tha se Rusia është e hapur për punën e përbashkët “konstruktive” me Washingtonin.

“Për fat të keq, ne nuk vërejmë ndonjë përparim nga administra e SHBA-ve”, tha ai.

Lavrov shtoi se Rusia nuk është në kërkim për “thellimin” e konfrontimit, duke theksuar: “Por, natyrisht, ne do të vazhdojmë të përgjigjemi ndaj çdo hapi jomiqësor në përputhje me parimin e reciprocitetit”./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit