Vazhdon beteja politike Thaçi – Haradinaj për liderizëm në dialog!

Mos i humb

Përplasjet tash e disa muaj të liderëve kryesorë institucionalë, përmes deklaratave publike, kanë reflektuar jo-unitet politik dhe institucional të Kosovës karshi çështjeve që janë me interes kombëtar për vendin, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, përplasjet janë zhvilluar kryesisht ndërmjet presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ato kanë nisur kryekëput për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe çështjet që janë ndërlidhur me këtë proces, ndonëse kryeministri Haradinaj ishte pajtuar që procesin e dialogut ta drejtonte presidenti. Për më shumë, në këto polemika janë përfshirë edhe liderët tjerë institucionalë, por edhe të partive në opozitë.

Siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, përplasjet e liderëve institucionalë të Kosovës më tepër kanë qenë për të shfaqur liderizëm sesa për mbrojtjen e qëndrimeve të tyre parimore.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se polemikat dhe përplasjet përmes deklaratave, liderët institucionalë i kanë bërë me qasje të ndryshme, por të cilat, sipas tij, nuk janë të bazuara në platforma dhe strategji të kompletuara.

“Kundërshtimet në mes të liderëve politikë të Kosovës nuk janë bërë mbi bazën e kundërshtimit të strategjive, por të kundërshtimit personal. Pra, ka pasur tendenca për protagoniozëm dhe nuk ka qenë një konfrontim konstruktiv i ideve dhe planeve, në mënyrë që të arrihet deri tek ideja apo plani më i mirë për Kosovën. Mirëpo, kanë qenë beteja të personalizuara të cilat i kanë bërë dëm Kosovës, sepse nuk e kanë mundësuar arritjen e një pajtueshmërie dhe të një qëndrimi të unifikuar, por kanë krijuar hendeqe të mëdha politike”, theksoi Muhaxhiri.

Mendim të ngjashëm ka edhe Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që polemikat ndërmjet liderëve institucionalë të vendit, kanë treguar që udhëheqësit politikë ende nuk kanë arritur të dalin jashtë petkut partiak dhe secilën kauzë të mundshme në vend, e përdorin për populizëm dhe për vota.

“Më tepër, këto përplasje kanë të bëjnë me çështjen e lidershipit dhe njëkohësisht ndoshta edhe me çështjen e votave dhe përkrahjes në masë dhe në publik, sesa që janë për parime. Deri tash, nuk është se kemi parë shumë parime për sa i përket çështjeve madhore dhe këto janë përplasje kryekëput politike, se kush është më lider dhe kujt po i shkon ideja më tepër. Ne nuk kemi parë asnjë debat në mes liderëve institucionalë sa u përket ideve të tyre, për të parë se cila ide është më e mira dhe për të diskutuar idetë në mënyrë të hapur. Por, më tepër ka qenë një lloj debati nga distanca të liderëve institucionalë lidhur me idetë e tyre”, theksoi Demhasaj.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, përplasjet ndërmjet liderëve institucional kanë nisur pas shpërfaqjes së idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim të kufirit” si zgjidhje mundshme për një marreveshje gjitheperfshirese me Serbinë Kjo ide është kundërshtuar ashpër nga kryeministri Haradinaj, për të vazhduar më pas me përplasjet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit