
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se vendet e NATO-s duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe sipas tij pas presioneve ndaj shteteve anëtare, për NATO-n janë siguruar dhjetëra miliardë dollarë.
Trump dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.
Trump në fjalën e tij ka theksuar se ka patur një përparim në marrëdhëniet me NATO-n që kur ai ka ardhur në detyrë.
Pasi ka përsëritur deklaratat e bëra më parë kundrejt vendeve të NATO-s, Trump ka theksuar se vendet e NATO-s duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe se shtetet anëtare kanë siguruar një mbështetje prej dhjetëra miliardë dollarë për NATO-n pas presioneve që ka kryer në këtë çështje.
“Kjo shifër është rritur shumë shpejt që kur unë kam marrë detyrën. Kemi mbledhur 140 miliardë dollarë para shtesë dhe ne duam të mbledhim 100 miliardë dollarë deri në vitin 2020”, tha Trump.
Presidenti Trump mes vendeve të NATO-s ka vënë theksin veçanërisht tek Gjermania, ku ai është shprehur se kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka marrë përgjegjësi të mjaftueshme.
Ndërsa Stoltenberg falënderoi Trumpin sipas tij për angazhimin e tij të fortë për NATO-n dhe udhëheqjen e tij në zgjidhjen e çështjeve.


