
Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, AK Abdul Momen, tha të mërkurën në mbrëmje se Asociacioni i Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) dëshiron të luajë një rol udhëheqës në riatdhesimin e refugjatëve Rohingya që jetojnë në Bangladesh.
“Tajlanda aktualisht kryeson me ASEAN-in. Ata dëshirojnë që të kenë një rol udhëheqës në procesin e riatdhesimit të refugjatëve Rohingya”, tha Momen në një takim me gazetarët pas takimit të tij me homologun tajlandez Don Pramudwinai në Dhaka.
Pramudwinai ka informuar autoritetet e Bangladeshit se Tajlanda ka dërguar një delegacion për të vizituar fshatrat në Rakhine, por Momen ka akuzuar autoritetet e Mianmarit se kanë dërguar delegacionet e jashtme në fshatrat që nuk janë të dëmtuara gjatë mizorive, raportojnë mediat lokale.
Duke u përgjigjur në pyetjet rreth propozimit të Bangladeshit për të krijuar “zona të sigurta” në Rakhine për refugjatët Rohingya, Momen tha se Pramudwinai pajtohet me idenë por dëshiron të përdorë terma të tjerë pasi “zona e sigurt” bart disa konotacione të caktuara dhe disa vende mund të mos pranojnë këtë, thuhet po ashtu në raportimet e medieve.
Ministri tajlandez nuk mori pjesë në takimin me gazetarët, por Momen tha se ASEAN dëshiron të krijojë mjedis të tillë në Mianmar ku refugjatët Rohingya do të ndiheshin të sigurt për t’u kthyer.
– Njerëzit e persekutuar
Refugjatët Rohingya, që përshkruhen nga Kombet e Bashkuara si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballuar me frikë në rritje nga sulmet, pasi disa persona u vranë në dhunën shoqërore të vitit 2012.
Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e pa treguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
OKB-ja gjithashtu ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit dhe gjenocid.


