
Asnjë pazar me qeverinë Rama, zgjedhje të reja përmes një qeverie tranzitore dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me ndërkombëtarët. Edhe pas gjashtë letrave të kryeministrit Rama, kryedemokrati Basha është i prerë dhe i qartë të vijojë betejën e tij.
Sa për thashethemet se zgjidhja vjen përmes një qeverie Rama-Basha, kryedemokrati u shpreh se nuk e do pushtetin në tavolinë.
“Me siguri i keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë frikën, e ndjejnë ankthin. Kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: Qeveri e përbashkët Basha-Rama!
Le të ja kujtojmë gjithësecilit që e ka kujtesen e shkurtër, se këtë betejë nuk e nisëm për pushtetin tonë, atë e dorëzuam, se këtë betejë nuk e nisëm për karriget tona, se ato nuk janë tonat por ato janë të popullit, qytetarëve, janë të shqiptarëve. Se në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë, sepse pushteti në tavolinë, është pushteti i krimit, është pushteti i oligarkisë. Nuk është kurrë pushteti i qytetarëve, është plaçkitja e qytetarëve. Ndaj le ta them qartë dhe prerë: Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë. Por që të gjithë shqiptarët e ndershëm le ta dinë se ne jemi të investuar që kjo krizë të zgjidhet vetëm në interes të qytetarit shqiptar. Kjo do të thotë jo thjesht dhënia fund e një qeverie jo legjitime por një reformë e thellë politike dhe kushtetuese që kurrë me asnjë grusht horrash të mundet të marrë peng zgjedhjet”,- tha Basha.
Basha u shpreh se kërkon për shqiptarët të njëjtat standarde që ndërkombëtarët kanë në vendet e tyre.
“Në dialog të vërtetë ftojmë të gjithë ata që duan mbylljen e këtij kapitulli të tmerrshëm. Të hapim kapitullin e Shqipërisë me demokraci dhe zgjedhje vërtetë të lira me ndarje dhe balancim pushtetesh, vetëm kështu parandalojmë marrjen peng të vendit. Perëndimorëve iu kemi ofruar gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e zgjidhjes politike. Rruga e vetme është ajo e normave, rrugën e parimeve, standardeve europiane. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë por nuk pranojmë asgjë më pak se parimet europiane”,- vijoi ai.
Kryedemokrati i ftoi të gjithë elbasanasit në protestën e 2 qershorit për ta bërë më të madhe siç tha, rezistencën ndaj së keqes.


