
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, kanë diskutuar për situatën në Mesdheun Lindor në një bisedë telefonike, bëjnë të ditur burime diplomatike.
Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme dhe sigurisë, gjithashtu ka konfirmuar se sot në mëngjes ka biseduar me Çavusoglun rreth “aktiviteteve turke në Mesdheun Lindor”.
Ajo tha se anëtarët e BE-së do të diskutojnë për këtë çështje si dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin, emigracionin dhe situatën në Afrikë dhe Libi.
Çavusoglu të dielën gjithashtu ka biseduar me homologët nga Finlanda dhe Suedia lidhur me çështjen e njëjtë.
Turqia vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës së Qipros Greke në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) ka të drejtë ndaj resurseve na atë zonë.
Që nga pranvera, Ankaraja ka dërguar dy anije kërkimi në Mesdheun Lindor, Fatih dhe së fundmi Yavuz, duke pohuar të drejtën e Turqisë dhe TRNC-së ndaj resurseve të zonës.
Anija kërkuese me flamur turk, Fatih ka nisur operacionet e shpimit në det në muajin maj 75 kilometra në perëndim të ishullit të Qipros.
Athina dhe Qiproja Greke ka kundërshtuar këtë lëvizje, duke kërcënuar se do të arrestojë ekuipazhin e anijes dhe u kanë bërë thirrje liderëve të BE-së që t’u bashkangjiten kritikave të tyre.
Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duheshte të ndërhyjë si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).
Në dekadat që nga ajo kohë janë bërë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan pa sukses. Përpjekja e fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.


