Japonia sot vendosi të përdorë 13 miliardë dollarë nga fondet rezervë në luftën e saj kundër COVID-19, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qeveria ka vendosur të “përdorë 1.4 trilionë jen (13 miliardë dollarë) nga fondet rezervë fiskal të vitit 2021, kryesisht për blerjen shtesë të vaksinave kundër COVID-19 si dhe sigurimin e ilaçeve për pacientët”, njofton Agjencia e Lajmeve Kyodo.
Kjo gjithashtu përfshin hua pa interes për familjet dhe bizneset e goditura rëndë nga pandemia.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë injektoi disa herë likuiditetin në treg pasi pandemia goditi strukturat shëndetësore dhe financiare të vendit.
Japonia është dëshmitare e një vale virusi shumë ngjitës të variantit Delta, me të paktën 21 provinca të vendosura në gjendje të jashtëzakonshme që lejon autoritetet lokale të zbatojnë masa më të forta kundër virusit.
Vendi me 126 milionë banorë deri më tani ka raportuar më shumë se 1.38 milionë raste me COVID-19, përfshirë 15.797 vdekje, njoftoi zyra e kryeministrit.
Megjithatë, ekonomia e tretë më e madhe në botë ka mbetur prapa në vaksinim. Vendi deri më tani ka administruar më shumë se 122 milionë doza të vaksinave COVID-19, ku mbi 54 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht.
Japonia ka përdorur një trajtim “koktej antitrupash” të përgatitur nga kazirivimab dhe imdevimab. Terapia besohet se “zvogëlon rrezikun e pacientit për shtrim në spital ose vdekje”.
Të enjten, autoritetet japoneze pezulluan përdorimin e rreth 1.6 milionë dozave të vaksinës Moderna për shkak të kontaminimit.
Prodhuesi spanjoll i vaksinës Moderna tha se dozat tek të cilat u zbulua kontaminimi “ishin dërguar vetëm në Japoni”.
“Zbulimi i kësaj lënde të grimcuar i referohet shisheve të caktuara të produktit të shpërndarë ekskluzivisht në Japoni”, tha kompania farmaceutike spanjolle Rovi SA.
Kompania mjekësore shtoi se është duke hetuar çështjen.


