Zbardhet një pjesë e dëshmisë që Davide Pecorelli ka bërë përpara hetuesve në Prokurorinë e Perugias mbrëmjen e së hënës.
“La Nazione” shkruan se bisnesmeni 45-vjeçar ishte zhdukur duke pranuar problemet financiare që ai ka me biznesin e tij në fushën e produkteve të kozmetikës.
Kjo media shkruan se Pecorelli ka qëndruar për disa kohë në një komunitet të priftërinjve në Medugorje, qytet në Bosnje. “Aty kishte shkuar falë ndihmës së një prifti katolik shumë të njohur në Shqipëri”, raporton “La Nazione”.
Jo vetëm kaq por në bazë të dëshmisë së tij është vërtetuar tashmë se Davide Pecorelli është koleksionues. E për të konfirmuar këtë, ai u ka thënë prokurorëve se po kërkonte “thesar monedhash”.
Pecorelli ka pranuar problemet ekonomike, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ai u zhduk duke inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri. Kujtojmë se për herë të fundit ai ishte parë në Pukë në fillim të muajit Janar.
Ndërsa javën e kaluar, ai kishte përdorur kartën e bankës për të tërhequr para nga një bankomat në Romë.
“Anëtarët e familjes time nuk e dinin se ku isha dhe arsyeja e zhdukjes nuk ka të bëjë me siguracionin e jetës. Kam qenë sipërmarrës për 30 vjet”, ka thënë Pecorelli në Prokurorinë e Perugias, referuar burimeve të “La Nazione”.
Pas marrjes në pyetje, mbrëmë Pecorelli pranoi për gazetarët italianë se është i vetëdijshëm që edhe në Shqipëri ka kryer vepër penale, pasi i vendosi zjarrin makinës që kishte marrë me qira dhe brenda mjetit u gjetën mbetje kockore. Këto mbetje nuk janë identifikuar ende kujt i përkasin, por dyshohet se janë marrë nga një varr i vjetër në Pukë.


