Babë e bir janë dërguar të plagosur në spitalin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.
Ata janë plagosur me thikë, duke marrë lëndime të shumta në trup. Mësohet se babai, shtetasi V.D., 60 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë tre goditje me thikë, një prej tyre në bark që i ka prekur edhe organet.
60-vjeçari ndodhet në sallën e operacionit në gjendje të rëndë për jetën.
Ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Mavrovë të Vlorës dhe sipas veprimeve të para hetimore dyshohet se babë dhe bir arritën të pikasnin tre persona që ishin futur në stanin e tyre për të vjedhur një sasi kanabisi.
Mësohet se gjatë kontrollit dhe krehjes së zonës, policia ka zbuluar rreth 180 bimë narkotike dhe që mendohet se mund të jenë kultivuar nga babai dhe djali.
Në njoftimin e policisë, theksohet se atyre iu zbulua në shtëpi dy armë zjarri, një automatik dhe një pushkë.
Po ashtu, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sigurimin e çdo prove që do t’i shërbejë zgjardhjes së kësaj ngjarjeje.
Policia vazhdon aksionin për krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve.


