Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se në Glasgow të Skocisë gjatë samitit të klimës COP26 (Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike) do të takohet me homologun e tij amerikan, Joe Biden, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan u tha gazetarëve se në krye të agjendës së takimit do të jetë çështja e avionëve luftarakë F-35.
Në vitin 2019, Washingtoni njoftoi se po e heq Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 nga Turqia.
Megjithatë, Turqia theksoi se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe se nuk do të paraqes kërcënim për aleancën apo armatimet e saj.
Ankaraja po ashtu në mënyrë të përsëritur propozoi formimin e një komisioni për të sqaruar çështjen.


