SPAK tërheq dokumentet e sterilizimit dhe ‘Check-up’, katër spitale s’kthejnë përgjigje

Mos i humb

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka tërhequr dokumentet e sterilizimit dhe të ‘Check up’ në disa spitale të vendit.
Por katër spitale nuk i kanë kthyer përgjigje SPAK, duke mos i sjellë dokumentet mbi shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, spitalet që nuk kanë kthyer përgjigje kanë afat deri në fund të kësaj jave, e nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë ata do përballen me drejtësinë për pengimin e veprimeve hetimore.

Çështja e sterlizimit është kallëzimi i parë i bërë në SPAK. Nisma “Thurje” pretendon se kostot e koncesionit janë shumë të larta, pasi kompania merr 190 euro për sterilizimin e një seti kirurgjikal, ndërsa më parë kur ky proces kryhej nga spitalet, kostoja ishte vetëm 2.4 euro.

Koncesioni i sterilizimit u fitua nga kompania “Sani Service” dhe kontrata u lidh ne dhjetor te vitit 2015, për 10 vjet, dhe me një vlerë fillestare 9.6 miliardë lekë. Prokuroria e Tiranës e hetoi këtë koncesion 4 vjet më parë, por i mbylli më pas hetimet.

Më pas, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit regjistroi kallëzimin penal të bërë nga Partia Demokratike për koncesionin e Check-Up.

Selia blu ka kallëzuar 10 persona, me pretendimin se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fikitive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.

Për Partinë Demokratike, shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.

Në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh, a janë ndërtuar 475 pika Check-Up dhe 20 laboratorë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit