Sekretarja Për Gruan e Partisë Demokratike, Taulanda Jupi u shpreh sot se, “Shqipëria renditet në vendet e para në Evropë për vrasjen e vajzave dhe grave”.
Në një deklaratë për mediet, ajo theksoi se, “njësoj si disa vite më parë raporti i publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për krimin dhe drogën edhe raporti i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2023 e rendit Shqipërinë të dytën në Europën Qendrore për nivelin e lartë të viktimave gra dhe vajza dhe dhunës ndaj tyre”.
“159 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri gjatë 11 viteve të fundit, 19 prej tyre humbën jetën si pasojë e dhunës vetëm gjatë vitit 2023”, nënvizoi ajo.
“Edhe në këtë fillimvit për fat të keq një grua, nënë e katër fëmijëve, e gjendur nën presionin psikologjik të dhunës dhe denigrimit të saj, e gjendur pa mbrojtje, pa mbështetje, pa rrugëzgjidhje, zgjodhi t’i japë fund jetës së saj”, tha Jupi.
“Partia Demokratike, duke e konsideruar dhunën ndaj grave dhe vajzave si një nga format më të rënda të dhunës dhe si një shkelje të drejtave themelore të njeriut, shpreh gjithë mbështetjen dhe vullnetin për të ndërmarrë hapat e duhur dhe duke qëndruar pranë çdo gruaje e vajze që sot është viktimë e dhunës”, theksoi më tej Jupi.
Ajo kërkoi “rishikimin e buxhetit me qëllim alokimin e fondeve të duhura për sigurimin e qendrave të pritjes të viktimave të dhunës si të vetmet zgjidhje që këpusin zinxhirin e dhunës dhe shpëtojnë jetë. Si dhe dhënien fund heshtjes dhe indiferentizmit dhe marrjen shembull nga Kosova që ka ndarë subvencione për të ardhurat e çdo gruaje apo vajze e identifikuar si viktimë e dhunës në familje për një periudhë 6-12 muaj muaj”.


