Zhupa: Kuadër ligjor më të konsoliduar, për një mjedis nxitës dhe promovues të vullnetarizmit

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha sot se “ndryshimet e propozuara në ligjin “Për vullnetarizmin” synojnë të krijojnë një kuadër ligjor më të konsoliduar, i cili do të krijojë një mjedis nxitës dhe promovues të vullnetarizmit në vendin tonë”.

Në fjalën e saj në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku po shqyrtohet në parim projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për vullnetarizmin”, Zhupa theksoi se “nëpërmjet ndryshimeve që unë propozoj do të mundësohet krijimi i mekanizmave të zbatueshëm për detyrimet që ofron ligji për ata që janë ofruesit e vullnetarizmit dhe vullnetarëve, regjistrin dhe mbajtjen e të dhënave, detyrimet dhe të drejtat e ofruesve të vullnetarizmit, mbledhjen e statistikave mbi personat që janë vullnetarë, si një mjet kontrolli ndaj aktorëve për të cilët individët bëjnë punë vullnetare dhe aplikimin e sanksioneve përkatëse në rast të moszbatimit të këtyre detyrimeve nga ofruesi i vullnetarizmit”, nënvizoi Zhupa.

Zhupa bëri të ditur se nëpërmjet kësaj nisme ligjore synohet qartësimi i mënyrës së regjistrimit të vullnetarizmit, mbajtjes dhe raportimit të të dhënave mbi vullnetarizmin, aplikimi i një mekanizmi sanksionues për shkeljet të atyre që do të quhen kundërvajtje administrative dhe harmonizimi i termave me legjislacionin në fuqi, sepse në legjislacionin e mëparshëm ka terma që nuk ekzistojnë sot dhe janë agjenci të tjera që funksionojnë sot.

Më tej duke folur për regjistrin e vullnetarizmit, Zhupa tha se “ky regjistër nuk parashikon kosto financiare të mëdha për buxheti e shtetit, nuk do të jetë ndërtimi i një mekanizmi, i cili do të hapë një tender për këtë dhe duhet të vihet në lëvizje për këtë Ministria e Financave apo ministri të tjera”.

“Regjistri është një term i thjeshtë ku mund të kuptohet edhe si dokument exeli i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive që mban dhënat e ofruesve të vullnetarizmit, bazuar në të dhënat e dërguara nga ofruesit e vullnetarizmit në mënyrë që të vërtetohen në librezën e vullnetarit dhe në CV e atij që ka shërbyer si vullnetar”, theksoi Zhupa.

Zhupa u shpreh se “pyetja që mund të shtrohet dhe kolegë të ndryshëm ma kanë bërë shpesh është se përse ofruesit e vullnetarizmit nuk e plotësojnë vetë librezën, pa u dashur të shkojnë tek Agjencia Kombëtare. Por Agjencia Kombëtare është garancia që të mos bëhet një treg i zi i lëshimit të certifikimeve, librezave, të nënshkrimeve të organizatave që sot ekzistojnë dhe nesër ndoshta nuk ekzistojnë dhe është e vështirë ku ta gjesh. Duke i marrë të dhënat në një institucion shtetëror siç është agjencia ke mundësinë që jo vetëm në momentin që e kryen vullnetarizmin, por edhe më vonë kur mund të humbë libreza dhe kur mund të ketë nevojë për një vërtetim t’i drejtohet një organi shtetëror. Kjo e bën më  serioze, të qëndrueshme dhe më të vlefshme në kuptimin e njohjes institucionale”.

Zhupa sqaroi se risia është për detyrimin e ofruesve të vullnetarizmit që përpara ofrimit për herë të parë të vullnetarizmit, të ofrojë formularin e regjistrimit dhe të regjistrohet në regjistrin e vullnetarëve, pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Po ashtu  detyrimin e ofruesit të vullnetarizmit për të dorëzuar në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive brenda datës 31 mars të çdo viti, një raport të detajuar mbi veprimtarinë e vullnetarizmit, shërbimet dhe aktivitetet, kontratat e vullnetarizimit dhe listën e vullnetarëve që kanë ofruar vullnetarizëm pranë tij gjatë vitit paraardhës, si dhe përcaktimin e shkeljeve të cilat konsiderohen si kundërvajtje administrative dhe ndëshkimin e tyre me gjobë.

Ky projektligj përfaqëson idenë e nxënësve të shkollës së mesme “Abdulla Keta”, një iniciativë, e cila është mbështetur juridikisht dhe në kontekstin tekniko-legjislativ nga ekspertiza e ofruar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Kjo ekspertizë është ofruar në kuadër të zbatimit të projektit “Për mbështetjen e Kuvendit dhe Edukimit Qytetar (PACEP)”, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), e zbatuar nga Prezenca e OSBE-sënë Shqipëri dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit