Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, kanë zhvilluar një takim me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen.
Në një njoftim nga Presidenca thuhet se gjatë këtij takimi presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin Bellen, për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në shumë procese historike që kanë të bëjnë me formimin dhe forcimin shtetit të Kosovës.
“Austria është një partner i fuqishëm evropian i Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka theksuar se Austria ka një lidhje të veçantë me Kosovën, duke ofruar mbështetjen e pa rezervë të shtetit të tij.
Thaçi në kuadër të vizitës së tij në Vjenë dje në shoqërim të ministrit Pacolli u takua edhe me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, nga i cili kërkoi mbështetje për dinamizimin e perspektivës evropiane të Kosovës, meqë Austria do ta marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.


