
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka numëruar dështimet e institucioneve të Kosovës në aspektin e Sigurisë, duke filluar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, AKI-në, e Inspektoriatin Policor.
Sipas deputetit të VV-së, në mandatin e kësaj qeverie, kanë ndodhur skandale më shumë se në çdo mandat tjetër qeveritar.
“Kanë kaluar në situatat mjaftë të vështira këtë vit. Me këto institucione shpesh herë më shumë se në çdo mandat qeveritar kanë ndodhur skandale të ndryshme të cilat kanë mbetur të pazgjidhura. Institucionet e sigurisë në Kosovë nuk e kanë arritur të kryejnë punën e vet ashtu siç do të duhej të ishte në interesat e shoqërisë”, është shprehur Selimi.
Për më tepër Selimi ka përmendur edhe ndërrimin e shpeshtë të ministrave në qeverisjen Haradinaj, për çka tha ai se ky ndërrim ka reflektuar me mos punë.
Selimi ka kujtuar se në institucionin e inteligjencës së Kosovës ka ndodhur ngjarje që lëndojnë këtë institucion, e për të tilla ngjarje është dashur të ndodhin shkarkime në hierarkinë e saj.
“Në AKI kanë ndodhur zhvillime të cilat e kanë lënduar këtë institucion… në krye të këtij institucioni ka ardhur një person i cili është dashur të shkarkohet nga policia për skandalet. Pra në vend që të shkarkohet nga policia ai është emëruar në krye të një institucioni edhe më të ndjeshëm”, tha Selimi.
Të vetmet arritje të këtij mandati, Selimi i përmendi mandatimin e projektligjeve për ushtrinë, në të cilin e vlerësoi edhe mbështetjen qe VV i ka dhënë këtij procesi.
Selimi ka komentuar edhe qëndrimet e Vetëvendosjes lidhur me dialogun, derisa theksoi se përkundër kërkesave të aleatëve për përfshirje të opozitës në dialog, VV nuk do të ndryshojë qëndrimin në këtë çështje.
“LVV ka bërë të ditur në vazhdimësi raportin e saj në dialogun me Serbinë dhe derisa vv mbetet në këtë raport që është sot në do vazhdojmë të kemi raportet e njëjta. Mirëpresim qëndrimin e miqve LVV mbetet në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe kemi bërë mirë që kemi zgjedhur atë që qytetarët e qeveria duhet ta zgjedh”, deklaroi Selimi./Valbona Bytyçi/Kosova Post.


