Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” kanë çliruar nga terroristët 5 fshatra të tjerë në Afrin të Sirisë.
Siç informojnë gazetarët e AA-së në terren, TSK dhe ULS kanë çliruar nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it fshatrat Mirkan dhe Sino pranë qytezës Mabatli në veriperëndim të Afrinit, fshatin Tatara pranë qytezës Xhinderes në jug dhe fshatrat Çatalkapi dhe Shejh Obasi në veriperëndim.
Rrethohet plotësisht qyteza Mabatli
Numri i fshatrave të pastruara nga terroristët gjatë ditës ka arritur në 12. Ndërsa me këtë është rrethuar plotësisht qendra e fundit e cila ka mbetur në duart e terroristëve, ajo e qytezës Mabatli, e cila ndodhet në veriperëndim të Afrinit.
Po ashtu nga AA janë filmuar pamjet e aktiviteteve e ULS-së për kërkim dhe neutralizim të minave të vendosura nëpër skaje të rrugëve nga terroristët.
Qendra e qytetit të Afrinit është rrethuar nga tre anët
Me takimin në veri të Afrinit të trupave të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK), të cilat në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” po avancojnë nga lindja për në perëndim dhe nga perëndimi për në lindje, qendra e qytetit të Afrinit u rrethua nga tre anët.
TSK dhe ULS, të cilat kanë rrethuar nga tre anët qendrën e qytetit të Afrinit, po e mbajnë të hapur një korridor i cili ofron mundësinë për kalim të sigurtë të civilëve të cilët dëshirojnë të shkojnë në jug.
Në kuadër të operacionit, TSK dhe ULS kanë marrë nën kontroll gjithsej 273 rajone, përfshirë 229 fshatra dhe 44 pika kyçe.
Trupat të cilat ngushtuan rrethimin rreth qendrës së Afrinit, me çlirimin e fshatit Kafer Çil arritën në afërsi prej 600 metrash nga lagjet periferike të qendrës.
Qendra e Afrinit përbëhet nga gjashtë rajone, Raxhu, Bulbul, Shejh Hadid, Xhinderes, Sheran dhe Mabatli, ku përveç rajonit Mabatli, të gjitha qendrat e këtyre rajoneve ndodhen nën kontrollin e TSK-së dhe ULS-së.
Organizata terroriste YPG/PKK të gjitha përforcimet dhe linjat mbrojtëse i ka në qendrën e qytezës së Afrinit. Ajo ka larguar me forcë civilët drejt qendrës së qarkut që t’i përdorë si mburojë e gjallë.
Nga ana tjetër, ajo i bllokon arabët dhe kurdët të cilët dëshirojnë të shkojnë në rajonet e kontrolluara nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe opozitarët ushtarakë. Mbajtja e civilëve ka shkaktuar edhe reagimin e Kombeve të Bashkuara./Rtv Islam/


