Aksidentet rrugore me viktima, çfarë po ndodh në Shqipëri?

Mos i humb

Viti 2018 ka nisur keq për sa i përket aksidenteve rrugore. Instituti i Statistikave, pak ditë më parë, raportoi se në janar të këtij viti u regjistruan 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në Janar 2017, duke u rritur me 12,6 %.

Për këtë temë u diskutua në “Pasdite në Top Channel”, ku të ftuar ishin Mithat Tola, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore; Alisa Mysliu, gazetare Fiks Fare; Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore.

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore vuri në dukje se shumica e autorëve të aksidenteve janë përsëritës. Ai përmendi edhe aksidentet e fundit me viktima.

“Shumica e aksidenteve janë shkaktuar nga shkelës të cilët kanë qenë përsëritës. Në aksidentin e Shkodrës, viktima është evidentuar rreth dy javë më parë për një parakalim të gabuar. Edhe në aksidentin e Kavajës, ka qenë shkelës i përsëritur”, thotë Tola.

Më tej, ai vë theksin te vendosja e rripit të sigurimit, i cili shpëtoi jetë. “Atje ku është përdorur rripi i sigurimit, të aksidentuarit kanë pësuar dëmtime të lehta. Në aksidentin e Shkodrës, nga të dhënat e para na rezulton se gruaja që ka shpëtuar ka qenë me rrip sigurimi, por këtë do ta nxjerrin hetimet. Rripi i sigurimit shpëton jetë”.

Ndërkohë, Alisa Mysliu thotë se 16 të vdekur nga aksidentet në një muaj, duket si një situatë lufte.

Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore shprehet se ligjet e ndërmarra duhet të diskutohen më herët para se të miratohen edhe me shoqërinë civile për të qenë më të plotë.

“Del se policia merr shumë masa, por ligjet bëhen nga policia kalojnë në kryeministri dhe kaq, por nuk merret mendimi i shoqërisë civile. Policia nuk mund të kapi çdo problem. Tashmë i është dhënë një përgjegjësi shoferit për mikrobuzët e fëmijëve të shkollave, por në botë nuk është kështu, pasi shoferi nuk mund t’i kontrollojë. Duhet një tjetër person që të merret me fëmijët. Nuk duhet t’i shohim këto gjëra bardhezi, duhet edhe një kujdestar i shkollës”, thotë eksperti./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit