
Turqia do të përqendrohet në reformat strukturore për të arritur objektivin për t’u bërë një vend më i fuqishëm, tha ministri turk i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak.
“Ky proces transformimi dhe reformash do të vazhdojë me vendosmëri në një periudhë 4,5 vjeçare pa zgjedhje”, tha Albayrak.
Duke folur në një konferencë shtypi për të njoftuar planin e veprimit të qeverisë për reformat strukturore në ekonomi, Albayrak tha se sektori financiar i dha përparësi një sërë reformave strukturore për vitin 2019.
“Hapi ynë i parë do të jetë përforcimi i kapitalit të bankave publike”, tha ai.
Ministri vuri në dukje se në periudhën e ardhshme do të përcaktohet një sistem i ri pensional individual sipas nivelit të të ardhurave të qytetarëve.
“Këtë periudhë shohim shumë të rëndësishëm krijimin e një sistemi efektiv dhe të shëndetshëm të kursimit. Duke filluar prej shteti e deri tek individët për të eliminuar brishtësitë në ekonomi”, u shpreh ministri turk.
Ai gjithashtu shtoi se për të siguruar funksionimin më të shëndetshëm të sektorit financiar, do të hedhin disa hapa në fushën e sektorit real.
Duke folur për inflacionin në çmimet e ushqimit, Albayrak tha se, “Reforma më e rëndësishme strukturore për të luftuar inflacionin në ushqim do të jetë Projekti Uniteti Kombëtar në Bujqësi”.
Me anë të mbështetjeve që do të jepen, numri i gjedhëve të imëta brenda katër viteve do të rritet në 100 milionë, që për momentin është 47 milionë, tha ministri turk i Thesarit dhe Financave.
“Me anë të Master Planit për Turizëm, brenda 4 vitesh do arrihet objektivi në 70 milionë turistë, 70 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi”, tha ai duke shtuar se Fondi i Aseteve do të përgatisë Master Planin Logjistik, që Turqinë ta shndërrojnë në një bazë logjistike në tregtinë ndërkombëtare.


