Apostolova: Është ndërtuar një sistem i veçantë për fëmijë

Mos i humb

 

 

Me rastin e përmbylljes së projektit të përbashkët të Bashkimit Europian (BE) dhe UNICEF-it në Kosovë për 10-vjetorin e mbështetjes për Reformë në Drejtësi për Fëmijë u mbajt konferencë për media ku u vlerësua reforma në këtë fushë.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova gjatë fjalës së saj tha se BE-ja ka mbështetur aktorët e ndryshëm në Kosovë për të reformuar drejtësinë për fëmijë gjatë 10 viteve të projektit. Ajo theksoi se në këtë periudhë Unioni ka investuar më shumë se 4 milionë euro për këtë qëllim.

Apostolova tha se kanë arritur që t’u sigurojnë fëmijëve që janë në kontakt me sistemin penal në Kosovë të trajtohen ashtu siç është paraparë në konventat e OKB-së dhe standardet më të larta ndërkombëtare.

Duke përmendur disa nga arritjet e BE-së në këtë projekt, Apostolova tha se një nga arritjet më të dukshme është krijimi i sistemit të drejtësisë restorative. Sipas saj, përmes Kodit të drejtësisë për të mitur, kryesit marrin përgjegjësi personale për veprimet e tyre dhe marrin veprime për t’i kompensuar dëmin që i kanë bërë shoqërisë.

“Në këtë mënyrë është ndërtuar një sistem i veçantë për fëmijët dhe është siguruar mbrojtja e të drejtave të tyre gjatë procedurave gjyqësore. Arritjet e lartpërmendura janë përcjellë me trajnime të specializuara të vazhdueshme, me zhvillimin e kurrikulave përkatëse dhe integrimin e kurrikulave në kuadër të Akademisë për siguri publike. Këto trajnime kanë siguruar që zyrtarët policorë, punonjësit social, gjyqtarët, avokatët, prokurorët, zyrtarët korrektues dhe sprovues kanë njohuri të duhura që të trajtojnë fëmijët që janë në kontakt apo në konflikt me ligjin”, tha Apostolova.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Luan Jaha tha se reformat në drejtësi janë një nga prioritet e Qverisë së Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe sigurinë e tyre.

“Ne jemi të mobilizuar në edukim, në punësim, në luftimin e varfërisë, në luftimin e abuzimit me droga dhe substance narkotike, në parandalimin e dhunës në familje dhe të abuzimit dhe punës së detyruar me fëmijë”, tha ai.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandão Có tha se si UNICEF gjatë angazhimit të tyre ka kaluar nga fokusi i shkelësve të mitur deri tek qasja e përgjithshme e drejtësisë si pjesë e axhendës për sundimin e ligjit.

Ai potencoi se sot fëmijët marrin shërbime të specializuara nga profesionistët dhe janë duke shfrytëzuar Qendrën e re korrektuese në Lipjan ku u ofrohen shërbime më të mira dhe mbrohen më mirë nga sistemi i drejtësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit