Kryeministri austriak, Sebastian Kurz i ka bërë thirrje Bashkimit Europian (BE) që të ulin shpenzimet dhe numrin e anëtarëve në organin ekzekutiv të Komisionit Evropian, edhe atë në momentin kur vendi i vendi i tij është i gatshëm të marrë kryesimin gjashtëmujor të bllokut europian.
Austria është njëra nga vendet që kundërshtoi rritjen e buxhetit të Bashkimit Evropian. Brukseli dëshiron të miratojë marrëveshje për shpenzimet për periudhën 2021-2027 para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në maj të vitit të ardhshëm.
Kurz sot për gazetën “Die Welt“ tha se Brukseli duhet të bëhet “shembull i mirë dhe të ulë shpenzimet administrative”. Ai propozoi që numri i anëtarëve në Komisionin Evropian të zvogëlohet nga 28 në 18, sipas parimit të “fer rrotacionit”, sepse sipas tij organi i pushtetit ekzekutiv kështu do të bëhej më efikas.
Ai gjithashtu angazhohet për heqjen e një prej selive të PE-së, megjithëse theksoi se është e vështirë të pritet që Franca të heqë dorë nga Strasburgu si një nga selitë e saj. Aktualisht, seancat e PE-së mbahen në Strasburg, ndërsa hartimi i ligjeve, seancat e bordeve të seancave plenare shtesë mbahen në Bruksel. Sekretariati i Përgjithshëm i PE-së është i vendosur në Luksemburg.


