
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka dorëzuar presidentit Hashim Thacit peticionin “Për bashkimin e qytetit të Mitrovicës” me 16 mijë 594 nënshkrime të qytetarëve.
Bahtiri pas dorëzimit të peticionit tha se nga presidenti ka kërkuar të merr një iniciativë që këtë peticion ta procedojë në Kuvend.
“Ne ia dorëzuam presidentit peticionit kërkuam që të merr iniciativë që të procedojë në Kuvend. Po presim që vendimi të merret sa më shpejtë se ne jemi të zhgënjyer. Ne kërkojmë që pushtetit lokal t’i kthehet statusi i mëparshëm sepse veriun e udhëheqin strukturat paralele. Kërkojmë që sa më parë të procedojë këtë në Kuvend dhe të shohim cilët janë ata deputetë që nuk e votojnë. Kam ndërmend ta dorëzoj në krejt grupet parlamentare”, është shprehur Bahtiri.
Bahtiri ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Haradinaj i cili javë më parë ka thënë se kryetari i Mitrovicës nuk duhet merret seriozisht, duke theksuar nuk është me rëndësi nga kush përkrahem apo jo.
“Pak ka rëndësi se kush e përkrah e kush jo”, ka thënë Bahtiri.
Ai më tutje i bëri thirrje kryeministrit dhe të gjithë të tjerëve që ta marrin seriozisht këtë peticion.
“Me përjashtim të kryeministrit të gjithë e kanë përkrahur këtë iniciativë”, tha Bahtiri
Ai paralajmëroi se do të merr edhe masa të tjera nëse ky peticion nuk merret parasysh, masa këto të cilat ndonëse nuk i sqaroi, tha se do i merr në bashkëpunim me qytetarët e Mitrovicës.
Bahtiri paraprakisht këtë peticion ia ka dorëzuar edhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.


