Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot pas arrestimit të një të kërkuari në Spanjë, i cili akuzohet nga GJKKO se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Balla shprehet se, “bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të konsoliduar revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar si dhe hetimet profesionale për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale janë forma më e mirë për të goditur krimin”.
“Vijojnë rezultatet e përditshme në operacionet e përbashkëta për kapjen e shtetasve në kërkim dhe në luftën kundër krimit të organizuar”, nënvizon Balla në reagim.
Balla përgëzoi Interpol Tirana për tre operacionet e radhës të zhvilluara me homologët spanjollë dhe italianë, për kapjen dhe vënien para drejtësisë të tre shtetasve.
Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, është arrestuar në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi L. L., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri.