Ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot se ratifikimi i letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën europiane të ekselencës së kërcënimeve hibride do të ofrojë përfitime të rëndësishme për vendin, veçanërisht në dritën e sfidave të sotme ndaj hapësirës kibernetike, sigurisë kibernetike dhe fushatave të dezinformimit të ndërmarra nga aktorë të ndryshëm.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën europiane të ekselencës kundër kërcënimeve hibride”, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Balla tha se anëtarësimi i vendit tonë në këtë mekanizëm adreson problematikat që lidhen me sulmet kibernetike, por jo vetëm.
“Nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë Qendër synohet forcimi i kapaciteteve kombëtare, duke përmirësuar kapacitetet e Republikës së Shqipërisë për të identifikuar, vlerësuar e përballuar kërcënimet hibride nëpërmjet aksesit në burime dhe në ekspertizën ndërkombëtare. Pjesëmarrja do të mundësojë pjesëmarrjen në programe të avancuara trajnimi dhe edukimi të ofruara nga kjo qendër duke rritur kështu nivelin e profesionalizmit dhe të ekspertizës në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, një objektiv tjetër është edhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, ku, nëpërmjet Qendrës, do të mundësohet ndarja e praktikave më të mira për përballimin e kërcënimeve hibride, si dhe koordinimi i veprimeve në luftën kundër këtyre kërcënimeve”, deklaroi ai.
Parlamenti Europin së fundmi ka miratuar një sërë aktesh që lidhen me ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike.
Kjo qendër ekselence kundër kërcënimeve hibride, theksoi Balla, na jep mundësinë që të adresojmë në një nivel shumë më profesional problematikat që lidhen me sulemt kibernetike fenomenin e dezinformimit, ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, apo ato që quajmë ndikime malinje që sfidojnë sovranitetin e sigurinë e shteteve
Këshilli i Ministrave, në qershor të këtij viti ka miratuar, në parim, letrën e pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit “Për Qendrën evropiane të ekselencës së kërcënimeve hibride”.
Në kuadër të pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në Qendrën Evropiane të Ekselencës së Kërcënimeve Hibride, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nënshkruar, më 13 qershor 2024, letrën e pjesëmarrjes.
Kjo Qendër, në cilësinë e një organizate ndërkombëtare dhe autonome, e cila ka selinë në Helsinki, Finlandë, ka si mision të saj forcimin e sigurisë së shteteve dhe të organizatave pjesëmarrëse, duke ofruar ekspertizë dhe trajnime në luftën kundër kërcënimeve hibride.
Në kushtet aktuale globale, kërcënimet hibride kanë marrë një rëndësi të veçantë, duke u shndërruar në një instrument të preferuar për aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë për të minuar stabilitetin, sigurinë dhe proceset demokratike të vendeve.