Balla: Revansh i ligjit kundër grupeve kriminale

Mos i humb

Rezultatet e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dëshmojnë një revansh të shtetit dhe të ligjit kundër grupeve kriminale.

Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla në takimin koordinues me donatorët.

“Gjatë vitit 2023 janë goditur 54 organizata kriminale, nga të cilat 38 prej tyre aktivitet në fushën e narkotikëve, 7 grupe kriminale aktive në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, 7 grupe kriminale aktive në fushën e krimeve ndaj pronës dhe 2 grupe kriminale në fushën e krimeve kompjuterike”, theksoi Balla.

Është shumë e rëndësishme ta përmend sot, vijoi Balla, bashkëpunimin ndërkombëtar me EUROPOL dhe INTERPOL, i cili po rritet në nivelin e shkëmbimit të informacionit, ashtu edhe në numrin e operacioneve të përbashkëta të zhvilluara nga ekipet tona të përbashkëta hetimore, të koordinuara nga Pika Kombëtare e Kontaktit Shqiptar këtu me EUROPOL-in, por dhe me taskforcat antiFalcon.

“Kemi pasur gjatë vitit 2023, 1380 hetime proaktive dhe kemi proceduar penalisht me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, 80 çështje penale. Nga 523 operacione policore në këtë fushë, 107 ishin operacione të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë. Dua të veçoj bashkëpunimin dhe operacionet e përbashkëta që kemi pasur me Interpolin 54 të tilla, një rritje e dukshme, krahasuar me një vit më parë”, nënvizoi Balla.

Balla u shpreh se “një shqetësim që mbetet nga disa prej vendeve partnere lidhet lidhet me luftën kundër krimit kibernetik. Tani kemi në nivel qendror në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, kemi edhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe po ashtu disponojmë një laborator qendror kriminalistik për hetimin e provave kompjuterike”.

Duke theksuar angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër migracionit të paligjshëm, Balla theksoi se “rezultatet që kemi arritur me Britaninë e Madhe, psh., gjatë vitit 2023 kanë qenë të paimagjinueshme në janar të vitit 2023. Ulja me 90% e qytetarëve shqiptarë që mbërrinin në mënyrë të paligjshme në UK është një prej atyre që do e quaja, indikatorëve të suksesit, edhe pse brenda atij suksesi ka plot indikatorë të tjerë të cilët dëshmojnë një fakt shumë të thjeshtë: kur dy vende europiane bëhen bashkë për të adresuar një problematikë rezultati nuk mungon”.

Balla e vuri theksin edhe tek lufta kundër zjarreve dhe sa i përket shpëtimit.

“Ne kemi pothuajse çdo ditë operacione të shumta në mbrojtje kundër zjarrit dhe shpëtimit, gjatë vitit të kaluar kemi pasur më shumë se 650 operacione shpëtimi ndaj qytetarëve të vendeve të ndryshme, të cilët shijojnë bukuritë natyrore të vendit tonë, por që në një moment të caktuar kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen tonë për t’i rikuperuar në zonat e thella malore”, theksoi Balla.

Balla tha se “na duhet të ngremë një sistem shumë efikas në të gjithë territorin sa i përket edhe këtij dimensioni të rëndësishëm të punës tonë, për ta thelluar dhe më tej atë konstatim që bëjnë të gjithë vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri si një vend tepër i sigurt”.

Sa i përket pjesës së mbrojtjes kundër zjarrit, Balla bëri të ditur se “sapo kemi nisur një fazë ristrukturimit të shërbimit të mbrojtjes kundër zjarrit në Shqipëri, i cili ndërlidhet në pjesën më të madhe në bashkëpunimin me pushtetin vendor, por mendoj që jemi në kohën e duhur për ta adresuar për të garantuar një shërbim të mbrojtjes kundër zjarrit të standardeve europiane”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit