Banorët e Gazës mblidhen në kufi në javën e dytë të demonstratave

Mos i humb

Që nga mëngjesi i sotëm, mijëra palestinezë janë tubuar në kufirin lindor të Rripit të Gazës me Izraelin për të marrë pjesë në demonstratat e vazhdueshme anti-okupuese.

Aktivistët palestinezë i kanë quajtur tubimet e sotme si “e premtja e gomave”, pasi protestuesit kanë vendosur qindra goma makinash përgjatë kufirit lindor.

Një taktikë e rezistencës nga epoka e Intifadës, djegia e gomave shkakton një tym të zi që thuhet se errëson dukshmërinë e snajperëve izraelitë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i tubimeve një javë më parë, të paktën 23 banorë të Gazës janë vrarë dhe më shumë se 1.500 janë plagosur nga sulmet e armatës izraelite ndërkufitare.

“Turmat e popullit tonë përgjatë kufirit do të rezistojnë ndaj planeve për t’i dhënë fund kauzës palestineze”, tha për AA Hazem Qassem, një zëdhënës i Hamasit.

“Ne do të mbetemi të palëkundur në kërkesën tonë për një jetë të lirë dhe dinjitoze”, tha ai.

“Jemi të vendosur ta vazhdojmë ‘Marshin e Kthimit të Madh’ dhe të thyejmë rrethimin shumëvjeçar të Gazës”, shtoi ai.

Tubimet kufitare, të cilat filluan të premten e kaluar, shënuan fillimin e një serie demonstratash gjashtëjavore që do të kulminojnë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” (Katastrofa).

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

Izraeli, nga ana tjetër, ka vendosur mijëra trupa përgjatë kufirit, duke u zotuar të përdorë forcë vdekjeprurëse ndaj kujtdo që kërcënon “infrastrukturën e sigurisë izraelite”./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit