Bardhi me banorët në Cërrik: 25 prilli, shansi i fundit ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme për të gjithë

Mos i humb

I. Vata- Drejtues Politik i Elbasanit, Gazment Bardhi, u takua me banorët e Xibrakës në Cërrik, me të cilët ndau shqetësimet e krijuara në 8 vite qeverisje nga Rama.

Ai e cilësoi të papranueshme kthimin mbrapa të fshatit, ku diskutohet buka e gojës në kuptimin e parë të fjalës, për shkak të braktisjes së qeverisë. Bardhi u shpreh se varfëria, braktisja dhe lënia në skamje e fshatit ka qenë një politikë e qëllimshme e qeverisë.

“Në këto 8 vite kanë ndjekur një strategji të mirëfilltë politike, varfëroi sa më shumë njerëzit, sepse sa më shumë t’i varfërosh e ke më të lehtë t’i nënshtrosh, e t’i shkelësh më këmbë, Fshati është pasqyra më e qartë ku duhet të shohësh dështimin e Edi Ramës”, analizoi Bardhi. Më tej, ai u ndal tek premtimet e pambajtura të rilindjes.

“Na premtoi subvencione në bujqësi, dhe jo vetëm që nuk dha, po rriti barrën, taksat ua rriti, çmimin e energjisë e rriti, çmimin e ujit e rriti, kostoja e jetesës është rritur, ndërkohë mbështetja dhe të ardhurat kanë rënë, prandaj kemi më pak lek në xhep sot”, pohoi Bardhi.

Drejtuesi Politik i PD theksoi mesazhin se këto zgjedhje nuk janë një luftë mes demokratëve dhe socialistëve. Por janë një betejë kundër padrejtësive dhe qeverisjes për 10 veta e nëpërkëmbjes së shumicës së njerëzve.

“Këto zgjedhje nuk janë PD apo PS. A keni dëgjuar ju ndonjë analizë se çfarë punësh të mira ka bërë ai për Shqipërinë, se çfarë ka premtuar këtu në Cerrik dhe se çfarë ka bërë. Më pas ai del dhe thotë se ka shpërndarë 95 milion euro ndihmë për fermerët dhe fshatarët, a keni dëgjuar ju ndonjë këtu te fshati juaj të marrë ndonjë lek. Një emër kemi dëgjuar që ka marrë, është ky që ka futur për kandidat, ai ka marrë, ai i ka marrë milionat e eurove nga subvencioneve në bujqësi dhe mendon se me ato miliona do vijë tani e do blejë fermerët dhe fshatarët, sepse veç ai ka marrë. Në këtë qark unë nuk ka parë dhe dëgjuar asnjë tjetër përveç atij dhe Gjergj Lucës që të këtë marrë para në bujqësi për shkak se ka ndërtuar një sistem të tillë subvencionesh që t’ iu përjashtojë të gjithëve ju. Mirë që nuk është krah nesh por edhe na zhvat, mirë që nuk na jep asnjë lek por na fut dorën në xhep. Prandaj, ne kemi një përgjegjësi të madhe të gjithë bashkë, përgjegjësia e parë është e juaja me datë 25. Para se të votojmë, secili nga ju të bëjë llogaritë e shtëpisë së vet dhe do të duhet që atë ditë të votojë për shtëpinë e vet, jo me flamuj partish, edhe një socialist do të duhet të bëjë llogarinë e shtëpisë së tij, jo llogaritë e Edi Ramës, as llogaritë e partisë, do të duhet të mendojë jetën e tij, fëmijët e vet, do të duhet të mendojë a do të qëndrojë dhe 4 vite të tjera kështu apo duhet me ndryshu”, tha Bardhi.

Ai vuri në dukje se përgjigjet për këto dilema që kanë qytetarët janë të qarta dhe ai i ka dëgjuar në çdo takim.

“Ne kemi bërë një skemë që ato lekë që buxheti i shtetit i nxjerr për fermerët dhe fshatarët të shkojnë realisht te fermerët dhe fshatarët pa kritere që i diskriminojnë, pa kritere që i përjashtojnë, por vetëm me bazën e një kriteri. Aq sa prodhon, aq subvencion do marrësh nga shteti, prandaj ato 100 milion euro që ne parashikojmë çdo vit për fermerët dhe fshatarët, të shkojnë te fermerët dhe fshatarët mbi bazën e prodhimit, jo me kritere e brukoraci. Prandaj e kemi bërë planin të thjeshtë, pa gënjeshtra, pa mashtrime, por me angazhime që kërkojnë vullnet, dhe ne kemi gjithë vullnetin për ta vënë në jetë dhe për ta bërë realitet”, tha Bardhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit