Bardhi takon raporteren Santos: Shqipëria, nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u takua  me raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos.

Bardhi e ka informuar eurodeputeten për zhvillimet në Kuvend, ecurinë e reformave dhe problematikat që ka Shqipëria në rrugëtimin europian. Bardhi theksoi se Shqipëria duhet të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm.

“Isabel Santos, raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian, e informova për përpjekjet e opozitës që Shqipëria të ketë një Parlament funksional, që respekton të drejtat kushtetuese të opozitës, lejon kontrollin efektiv ndaj Qeverisë, dhe që punon në interes të qytetarëve. Moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetutese është minim i parimeve të shtetit ligjor dhe akti më brutal antikushtetuese i ndodhur në 33 vite”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale, duke ndarë  dhe foto nga takimi i zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.

“Mazhoranca duhet të heqë dorë nga tentativa për të kontrolluar institucionet e drejtësisë dhe nga çdo përpjekje për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Gjithashtu, e informova për bllokimin 2-vjeçar të Reformës Zgjedhore nga mazhoranca dhe nevojën që ka Shqipëria, si vend kandidat për anëtar të BE, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. E sigurova se për opozitën përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, garancitë për barazi në zgjedhje, dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë një prioritet jo vetëm i shpallur, por pikënisja e një reforme kuptimplotë zgjedhore, që duhet përmbyllur sa më parë në kohë“

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit