Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, përkujtoi sot heroin e demokracisë, Azem Hajdari në 26-vjetorin e vrasjes.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Azemi dha gjithçka për Shqipërinë që ne ëndërrojmë: një vend të lirë, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
“26 vite më parë jeta dhe ëndrrat e tribunit të lirisë Azem Hajdari u prenë në mes. Zemrat tona janë sot plot dhimbje dhe krenari, teksa kujtojmë Azem Hajdarin, heroin e demokracisë shqiptare. I riu që u kthye në lider, lideri që kthye në simbol, simboli që u kthye në frymëzim, duke ndezur shpirtin e një kombi të tërë në kërkim të lirisë”, tha ai.
Basha tha se “amaneti i tij është një thirrje për çdo demokrat dhe çdo shqiptar, çdo të ri e të re që e sheh të ardhmen të kërcënuar nga diktatura e korrupsionit – të qëndrojmë, të vazhdojmë përpjekjet për lirinë, për të drejtat tona dhe për një të ardhme më të mirë”.
“Edhe sot ne dhe çdo i ri frymëzohet nga guximi dhe vizioni i pavdekshëm i Azem Hajdarit”, tha Basha.