Berisha: Enver Sheshi, viktimë e mafies së inceneratorëve, kishte vendosur të fliste

Mos i humb

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se Enver Sheshi, i arrestuar për inceneratorët është viktimë e mafies së inceneratorëve duke ngritur dyshime të forta për vdekjen e tij në burg.

Sipas Berishës, Sheshi kishte vendosur të fliste.

“Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit faktojnë dhe njëherë përfundimisht se ky është shtet i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar dhe njëherë errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Menjëherë pas komunikatës zyrtare e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarë vërshuan të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies së djegësve. Është viktimë e mafies qeveritare të djegësve. Këto informata shtonin se Enver Sheshi i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve kishte vendosur të fliste dhe pas kësaj xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme e cila ka për kokë direkt Edi Ramën gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve ta çojë në botën tjetër dëshmitarin e rrezikshëm”, tha Berisha.

Ai theksoi se afera e djegësve është afera më flagrante e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale.

“Kreu i ekzekutivit shqiptar firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim me vendimin dhe shkresën e entit kombëtar të specializuar për prokurimet të agjencisë kombëtare të Prokurimeve Publike e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve Publike e bëri këtë dy herë me radhë, por Edi Rama duket se duke e pasur ndërmarrje të vetën pavarësisht nga ky vendim që nuk mund të tejkalohej kurrë përveç se me ndryshimin e ligjit në parlament firmosi një kontratë në interes të vetin dhe të klanit të aferës së djegësit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi: “Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur deri në vesh është Erion Veliaj i cili zgjodhi që më djegësin e Tiranës të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën.

Zgjodhi që për hir të këtij pasurimi të çmendur, mbi 100 e ca mln euro për djegësin e Tiranës, për pasurimin e tij dhe të Ramës të firmoste vendime në emër të Këshillit, të firmoste vendime në emër të qarkut, të cilat qarku nuk i kishte marrë ndonjëherë. Veliaj prej 6 vitesh vjedh dhe rrjep qytetarët e Tiranës me një tarifë 28 euro tonin e mbetjeve, ndërkohë që vetë kontrata e kompanisë së tyre përcakton se kjo tarifë 28 euro do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e depozitimit dhe kompostimit do jetë 11 euro”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit