Berisha: Kim, shpifje dhe sulme ndaj opozitës

Mos i humb

Kryetari i PD-së Sali Berisha foli sot në lidhje me çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se pas heshtjes së Edi Ramës fshihet ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

“Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim e cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë.

Po këto burime informojnë se, deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë e tij me McGonigal, të cilin edhe mediet më të mëdha amerikane po e tallin, ka qenë një këshillë e guvernatores”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se edhe Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë.

“Në këto momente kur zien e gjithë bota, kur zien media e gjithë botës dhe jo vetëm të SHBA, ajo që bën përshtypje më të madhe është se edhe viktim-Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë.

A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston.

Mirë Rama, që është autori i një vepre makabër, por viktima e tij, si nuk gjen forcë të shqipërojë një fjalë të vetme”, tha ai.

Po ashtu, Berisha i bëri thirrje FBI-së që të hetojë edhe guvernatoren Kim dhe lidhjet e saj me McGonigal.

“Kodi i heshtjes po zbatohet edhe nga guvernatorja, e cila nuk ka lënë gjë pa komentuar. Tani për një ngjarje që ka tronditur thellë botën, nuk shqipëron një fjalë të vetme. Si është e mundur kjo? Çfarë interesash përfaqëson guvernatorja? A mund të shpjegojë kush?

A ka shqiptar që nuk pret një reagim të saj për këtë ngjarje? Në llojin e saj, guvernatorja është një McGonigal, ndaj të cilës janë shumë akuza për të gjitha format e korrupsionit.

Nëse McGonigal nisi me manipulimet me dosjen ruse, guvernatorja vazhdoi veprën e saj me shpifje, me sulme, duke dëshmuar se nuk ka asnjë parim, asnjë vlerë.

Duke rendur nga studio në studio, nga zyra në zyrë, me qëllimin e vetëm të shkatërronte opozitën. Nuk është kjo që e bën të aplikojë kodin e heshtjes.

Ndaj u bëj thirrje FBI, agjencive të tjera të SHBA, të hetojnë se cilat kanë qenë qëndrimet e saj ndaj McGonigal. Ka informuar ajo vendin e vet për takimet që ai ka pasur, për veprimtarinë e tij, për vizitat e shpeshta në Shqipëri”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit