Balla: Deputetët që thyejnë rregulloren, jo pjesë e seancave plenare

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Kuvendi duhet të veprojë në kushtet kur një pjesë e opozitës është zotuar se nuk do të ketë më zhvillim normal të punimeve të tij.

Në një prononcim për mediet nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla komentoi kërkesën e disa deputetëve të opozitës për të shkarkuar nga detyra kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

“Këta mund të kërkojnë edhe shkarkimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit. Kërkesa të pafundme. Por e para është që nuk gjej qoftë dhe një argument të vetëm që të kërkosh shkarkimin e kryetares së Kuvendit, në kushtet kur kryetarja në seancën e fundit plenare, ka zbatuar rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton qartë se si disponon me vendimmarrje kryetari i Kuvendit kur bllokohet foltorja e Kuvendit. Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka të pamundur që të përmbushë detyrimet, në këtë rast është miratimi i rendit të ditës”, tha Balla.

Balla tha se në kushte e deklarimit se një pjesë e opozitës është zotuar se në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të ketë më zhvillim normal të punimeve, Kuvendi duhet të veprojë.

“Prandaj dua t’ua bëj shumë të qartë që asnjë lloj kërkese e kësaj forme nuk miratohet dhe në vlerësimin tim nuk vlen as të merret në konsideratë. Ne do të mundohemi që diskutimet të zhvillohen dhe në këtë frymë përpjekja për të vijuar punë normalisht është edhe vendimmarrja e Sekretariatit për Votimin dhe Procedurat në Kuvend ku deputetët që thyejnë hapur rregulloren e Kuvendit të mos marrin dot pjesë në seanca plenare. Shpresoj që duke qenë se kemi plot çështje të rëndësishme edhe në seancën e datës 2 shkurt, Kuvendi t’i kthehet normalitetit me diskutime”, tha ai.

Balla e cilësoi qesharak, qëndrimin e opozitës në seancën plenare të 16 janarit.

“Kush mendon dhe pretendon se mund të marrë peng Kuvendin e ka shumë gabim. Kuvendi do të vazhdojë punën e vet”, siguroi Balla.

I pyetur mbi kërkesën e opozitës për komisione hetimore, Balla kujtoi se Kuvendi ka ngritur tashmë një komision të posaçëm për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, pikërisht për transpozimin në ligj të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kemi një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me komisionet hetimore parlamentare dhe që duhet të adresohen edhe nga Kuvendi. Nga viti 2004 deri më sot nuk janë transpozuar në legjislacion vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit