Blerina Bala zgjidhet kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës

Mos i humb

Këshilli Bashkiak i Himarës ka zgjedhur Blerina Balën si kryetare të komanduar të Bashkisë së Himarës.

Ajo mori votat e shumicës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak kundrejt nënkryetarit tjetër Pervin Gjikuria.

Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria ishin të dy nënkryetar të Bashkisë së Himarës. Në kushtet kur kryetari në detyrë Jorgo Goro u arrestua dhe dha dorëheqjen, Këshilli Bashkiak votoi për të caktuar kryebashkiak të komanduar një prej 2 nënkryetarëve, ku u zgjodh Blerina Bala.

Partia Socialiste ka shumicën e votave të anëtarëve në këtë këshill.

Mbledhja e këshillit u zhvillua me dyer të mbyllura në orën 12:00 pasi u shty më herët për shkak të tensioneve me banorët, të cilët shkuan në ambientet e Bashkisë së Himarës dhe kërkuan largimin nga salla të Vangjel Dules, i cili është Prefekt i Qarkut Vlorë, i emëruar në këtë detyrë nga Qeveria së fundmi.

Kujtojmë se Bashkia e Himarës është në këtë situatë për shkak të arrestimit të Fredi Belerit dhe Jorgo Goros.

Fredi Beleri, i cili fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, u arrestua për blerje votash dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme, por çështja ka kaluar në Apel.

Kryetari në detyrë që ishte, Jorgo Goro i cili humbi zgjedhjet e vitit 2023, u arrestua pak ditë më parë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Dhërmi. Pas arrestimit, ai dha dorëheqjen nga qelia.

Tashmë Blerina Bala e zgjedhur si kryetare e përkohshme e Bashkisë Himarë, do të qëndrojë në detyrë deri kur gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë për fatin e Fredi Belerit, i dënuar me 2 vjet burg në Shkallën e Parë.

Nëse vendimi konfirmohet në Apel, Himara do të duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit