Blinken në Londër, nënvizon bashkëpunimin me aleatët

Mos i humb

Ministrat e Jashtëm nga Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara u mblodhën të martën në Londër për takimin e tyre të parë ballë për ballë në më shumë se dy vjet. Ndër çështjet kryesore në rend të ditës ishte Kina, e cila po demonstron një fuqi në rritje: nëse do të sfidohet ajo apo do të joshet drejt bashkëpunimit.

Vendi pritës, Britania, synon të tregojë se klubi i vendeve të pasura ka ende ndikim në botën e sotme që po ndryshon me shpejtësi dhe ka paralajmëruar se qëndrimet gjithnjë e më agresive të Rusisë, Kinës dhe Iranit paraqesin një sfidë për shoqëritë demokratike dhe ligjin ndërkombëtar. Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se takimi “demonstron se diplomacia është rikthyer”. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nënvizoi se Shtetet e Bashkuara po solidarizohen sërish me aleatët e tyre ndërkombëtarë që kur Presidenti Joe Biden zëvendësoi paraardhësin e tij Donald Trump, kredoja e të cilit ishte “Amerika e para”.

Zoti Blinken tha se angazhimi me Kinën “nga një pozicion force … nënkupton të punosh realisht me aleatët dhe partnerët, duke mos i përçmuar ata”. “Kjo do të thotë të mbështetesh dhe të përfshihesh në një grup të madh organizatash shumëpalëshe dhe ndërkombëtare, sepse aty bëhen shumë prej rregullave. Aty formohen normat,” tha ai. “Dhe nëse nuk e shfrytëzojmë mundësinë, ne e dimë që Pekini ka të ngjarë të përpiqet ta bëjë këtë në vendin tonë.”

Në takimin dy-ditor, diplomatët e lartë nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia gjithashtu kishin në plan të diskutonin për grushtin e shtetit ushtarak në Mianmar, krizën humanitare në Siri, krizën në Tigray të Etiopisë dhe situatën e pasigurt në Afganistan, ku SHBA dhe aleatët e tyre të NATO-s po tërhiqen pas dy dekadash. Ministria e Jashtme britanike tha se grupi do të diskutojë gjithashtu për “veprimtarinë keqdashëse të Rusisë”, duke përfshirë një grumbullim të mëparshëm trupash të Moskës në kufirin me Ukrainën si dhe burgosjen e politikanit të opozitës Alexei Navalny.

Ndërsa anëtarët e G-7 me gjasë mund të bien dakord në vija të trasha për të dënuar burgimin e Navalnit ose shtypjen nga Pekini ndaj pakicës Ujgure në Sinkiang, ekzistojnë dallime në lidhje me mënyrën se si do të trajtohen marrëdhëniet me vende të tilla si Kina dhe Rusia, dallime që do të duhet të zbuten në komunikatën përfundimtare të mërkurën. I pyetur se çfarë mesazhi do t’u dërgonte grupi regjimeve autoritare, zoti Raab tha se G-7a besonte “në mbajtjen e tregtisë të hapur. Ne besojmë në mbështetjen për shoqëritë e hapura, për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Ne besojmë në ruajtjen dhe promovimin e së mirës publike”, tha ai.

Ministrat e G-7 gjithashtu do të përpiqen të bien dakord mbi një mënyrë për të bërë të mundshme shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit në të gjithë globin për një kohë të gjatë. Por tani për tani, vendet e pasura hezitojnë të japin vaksina pa imunizuar popullatat e tyre. Qeveria britanike e drejtuar nga konservatorët, shpreson që rifillimi i takimeve personale të G-7s, pas më shumë se një viti telekonferencash për shkak të pandemisë, do t’i japë grupit energji dhe do të forcojë përpjekjet për një rol global të Britanisë në periudhën post-Brexit.

Kryeministri Boris Johnson do të presë udhëheqësit e tjerë të G-7 në një samit që do të mbahet në Cornwall të Anglisë në qershor. Politikanët e opozitës dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës thonë se synimi i Britanisë për një rol më të madh në çështjet botërore minohet nga vendimi i qeverisë për të shkurtuar buxhetin e saj të ndihmës së huaj nga 0.7% të produktit të brendshëm bruto në 0.5% për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë. Zoti Raab tha se shkurtimet e ndihmave ishin një “vendim i vështirë” por këmbënguli se Britania do të bëhet “një forcë edhe më e madhe në shërbim të së mirës në botë”./VOA

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit