Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton akuzoi Korenë e Veriut se nuk po bën hapa për denuklearizimin e premtuar nga udhëheqësi i Phenianit Kim Jong Un në takimin me Presidentin Donald Trump në Singapor në muajin qershor.
Ai tha se që nga takimi i Singaporit, Koreja e Veriut “nuk ka ndërmarrë hapat që ne mendojmë se janë të nevojshme për denuklearizimin”.
Zoti Bolton tha se SHBA nuk po shikojnë mundësinë e zbutjes së sanksioneve ekonomike kundër Phenianit.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Trump, në një letër të kohëve të fundit për udhëheqësin Kim Jong Un propozoi dërgimin e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Phenian për bisedime të mëtejshme. Zoti Trump u shpreh gjithashtu se ishte i gatshëm të mbante një takim të dytë me udhëheqësin koreanoverior.
Është hera e dytë brenda tri ditësh që zoti Bolton shpreh irritim për lëvizjet e ngadalta të Penianit në zbatimin e premtimit jo të qartë që Kim Jong Un i bëri Presidentit Trump për denuklearizimin e gadishullit Korean. Komentet e vijnë pas njoftimeve amerikane se Koreja e Veriut vazhdon të ndërtojë raketa dhe të prodhojë plutonium.
Top Channel