Pas shumë muajsh premtimesh dhe mosmarrëveshjesh, kryeministri bullgar Kirill Petkov më në fund ka pranuar se po përgatitet të heqë veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në mënyrë që Shkupi të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.
Duke folur për mediet në Sofje, i pari i qeverisë la të kuptohet se kompromisi që po përgatitej do të jetë një sukses i paprecedentë për Bullgarinë.
Sipas tij përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase do të bëhej përpara konferencës së parë ndërqeveritare të qershorit dhe se vetë Bashkimi Evropian ishte investuar në zgjidhjen e kontestit mes palëve.
Më 17 nëntor 2020, Bullgaria njoftoi se do të vendoste veton mbi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian për shkak të mos adresimit të problemeve të Sofjes nga ana e Shkupit për çështje që lidhen me identitetin bullgar.
Sofja kërkon që gjuha maqedonase të mos përfshihet në asnjë kornizë negociuese të Shkupit me BE-në, pasi për Bullgarinë maqedonishtja është vetëm një dialekt i bullgarishtes.
E po ashtu, Bullgaria pretendon se vetë kombi maqedonas është bullgar dhe se termi maqedonas është një krijim artificial i komunistëve jugosllavë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.
Dhe së fundmi, Sofja këmbëngul që Shkupi të heqë dorë nga pretendimi për njohjen zyrtare të pakicës maqedonase në Bullgari, ndërsa shtetasit maqedonas që identifikohen si bullgarë nuk duhet të pengohen.