Nënkryetari i PD-së, Oert Bylykbashi kërkoi që në buxhetin e vitit 2025, të rritet në 5 miliardë lekë, fondi për kompensimin e ish-pronarëve.
Duke folur për amendamentin e propozuar prej tij për buxhetin 2025, gjatë seancës plenare sot në Kuvendin e Shqipërisë, Bylykbashi, tha se, “fondi financiar për kompensimin e ish-pronarëve është ulur në 3 miliardë lekë dhe kjo sepse qeveria nuk do t’ia kthejë pronën ish-pronarëve, por edhe nuk do t’i kompensojë”.
Sipas tij, borxhi me ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit është ndryshe nga borxhi që ka qeveria se nuk i del llogaria.
“Ky është një borxh i thellë moral që qeveria ka ndaj kësaj klase. Ju refuzoni të ktheni pronat tek ish-pronarët dhe kompensimi financiar nuk mund të ulet. Ju i keni zënë pronat me kontrata koncesionare dhe shpresoni që Kodi Civil t’ju mbrojë, sepse pronat nuk ia jepni pronarëve por investitorëve strategjikë”, theksoi Bylykbashi.
Ai kërkoi që qeveria të zbatojë kompensimin financiar për ish-pronarët dhe t’iu kthejë pronën fizikisht kur ajo është e lirë.
“E gjejnë vetë pronarët sipërmarrësin strategjik për të zhvilluar pronën e tyre, nuk është e nevojshme t’ia gjejë qeveria”, tha ai, teksa bëri të ditur se, propozimi i tij lidhet me ndryshimin e nenit 6 të ligjit për buxhetin 2025, ku kërkohet që buxheti i fondit për kompensim në vlerë për ish-pronarët për vitin 2025, të shënojë në total 5 miliardë lekë.
Bylykbashi ftoi deputetët ta votojnë këtë amendament, që siç tha ai, “është borxh dhe duhet shlyer sa më parë”.