Caka: Qytetarët vuajnë pasojat e transportit publik ineficient

Mos i humb

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka u shpreh sot në një deklaratë për mediet se mijëra qytetarë të Tiranës përballen çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë vonë, me plagën e një transporti publik ineficient dhe primitiv, që ua rëndon së tepërmi përditshmërinë e tyre.

Caka u ndal tek situata e transportit publik, që sipas saj, vijon të jetë e njëjtë në 10 vite.

“Çdo ditë në mëngjes, mijëra qytetarë ngjeshen nëpër autobusa dhe mijëra të tjerë presin për një kohë të gjatë në stacion, ardhjen e autobusëve. Mosrespektimi i orareve dhe mosndalimi në stacione i autobuzave, është bërë e zakonshme dhe këto pasoja i heqin qytetarët”, tha ajo.

Caka u shpreh se zgjerimi i kryeqytetit në disa zona urbane të mëdha e me dendësi të lartë dhe me distancë nga qendra, bën realisht të pamundur transportin e qytetarëve, qoftë për problemet e tyre të punës, për problemet mjekësore apo edhe ato sociale.

“Duke patur parasysh që në Tiranë ekzistojnë zona urbane, që nga zona e Freskut, Yzberishi, Alliasi, Instituti Bujqësor, Sauku etj, është e qartë që me këtë transport urban, ato realisht izolohen, ndonëse janë pjesë integrale e kryeqytetit”, tha Caka.

Sipas saj, për mijëra pensionistë, për mijëra familje me të ardhura minimale, ky transport urban në situatën në të cilën ndodhet, ua bën realisht të pamundur që ata të kryejnë edhe shërbimet minimale.

“Asnjë qytetar sot nuk ka mundësi që të lëvizë nëpër kryeqytet me lehtësi, përmes shërbimit urban. Gjithë sinjalistika, që nga tabelat e stacioneve apo tabelat treguese për itinerarin e linjave të urbanëve, nuk ka as standartin minimal dhe nuk orientojnë qytetarët në lëvizjet e tyre. Lëvizja e qytetarëve, veçanërisht në orët e pasdites dhe darkës, është thuajse e pamundur, pasi oraret as që respektohen gjëkundi dhe lëvizja shumë e ngadaltë edhe e atyre pak automjeteve të trasnportit, vetëm i lodh dhe i streson qytetarët, në vend se t’ua bëjë jetën më të lehtë atyre”, vijoi Caka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit