Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu kritikoi ndalimin e fushatës në Gjermani për politikanët turq para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Turqi më 24 qershor.
“Ky ndalim shkel të drejtën e tubimit. Por, Gjermania ka vendosur të mos lejojë asnjë fushatë zgjedhore dhe ne duhet ta respektojmë këtë vendim”, tha Çavusoglu në një intervistë ekskluzive për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Rreth 1,4 milionë emigrantë turq që jetojnë në Gjermani kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Turqisë. Ndërsa qeveria gjermane dha leje për vendosjen e qendrave të votimit në konsullatat turke, ajo ndaloi organizimin e evenimenteve me fushatë zgjedhore në gjithë vendin.
Shefi i diplomacisë turke shprehu keqardhje për praktikat kontradiktore të autoriteteve lokale gjermane, të cilat ai tha se refuzoi lejen për Partinë qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) për të organizuar tubim, por toleroi ato të partive opozitare.
“Ne gjithashtu dëshmuam se mbështetësit e PKK-së dhe një parti pro-PKK-së mund të zhvillojë evenimente të fushatës këtu”, tha ai, duke iu referuar tubimeve të fundit të organizuara në qytetet e Këlnit dhe Berlinit nga Partia Demokratike e Popujve (HDP).
E përditshmja “Yeni Ozgur Politika” me bazë në Gjermani, e cila konsiderohet si medium i organizatës terroriste PKK, po ashtu ka filluar një fushatë propagandistike në mbështetje të HDP-së.
Ministri i Jashtëm turk përsëriti thirrjen ndaj autoriteteve gjermane për të marrë masa më serioze kundër veprimtarive propagandistike të PKK-së, e cila edhe në Gjermani është e listuar si organizatë terroriste.
“Ne përshëndesim masat e marra vitin e kaluar kundër PKK-së, por duket se autoritetet gjermane mund dhe duhet të bëjnë më shumë”, theksoi ai.
PKK është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993, por mbetet ende aktive me rreth 14.000 pasues në këtë vend.
AK Parti pret mbështetje të madhe në Europë
Çavuşoğlu shprehu shpresën se në zgjedhjet e ardhshme, shumica e emigrantëve turq do ta mbështesin presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe Partinë e tij AK.
“Pjesa më e madhe e turqve që jetojnë jashtë vendit, edhe në Gjermani, na mbështesin. Sepse ata shohin se si Turqia ka ndryshuar në 16 vitet e fundit”, tha ministri Çavusoglu duke iu referuar rritjes ekonomike dhe transformimit në Turqi nën qeverisjen e AK Partisë.
Në referendumin e prillit të vitit 2017, 63 për qind e elektoratit turk në Gjermani votuan pro reformave kushtetuese të mbështetura nga presidenti Erdogan.
“Ne presim që të marrim të njëjtën mbështetje, ndoshta edhe më shumë, nga komuniteti turk në Gjermani dhe Europë”, deklaroi Çavusoglu.
Ai tha gjithashtu se ka shpresë se Erdogan do t’i fitojë zgjedhjet që në raundin e parë.
“Unë mendoj se ne do të marrim të paktën 55 për qind”, u shpreh shefi i diplomacisë turke, duke shprehur bindjen se AK Parti do të fitojë gjithashtu një shumicë absolute në parlament./Rtv Islam/


