Qeveria e Kosovës tërheq nga Kuvendi Platformën për dialog me Serbinë

Mos i humb

Qeveria e Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka tërhequr nga procedurat kuvendore Platformën për finalizimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, deri tek arritja e konsensusit kombëtar.

Në emër të Qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica u kërkoi deputetëve që të kenë mirëkuptim për tërheqjen e Platformës së propozuar më parë për finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, kërkoj mirëkuptim që të tërhiqet Platforma për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, që po shqyrtohet nga Kuvendi më 23 prill të vitit 2018, me qëllim që të fitojë kohën për arritjen e një konsensusi të gjerë kombëtar dhe vazhdimin e konsultimeve”, tha Reçica.

Kryesuesi me seancën, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti konstatoi të drejtën e propozuesit, në këtë rast Qeverisë, që të tërheqë këtë propozim ndonëse debati mbi këtë Platformë ishte në rend dite të kësaj mbledhjeje.

Deri tek tërheqja e Platformës së propozuar vjen pasi Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se nuk do të mbështesë Platformën sepse parashikon që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të udhëheq ekipin negociues të Kosovës si dhe për atë se “është përpiluar keq dhe përmban pretendime antikushtetuese”.

Platformën qeveritare më herët e hodhën poshtë partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit