Çështja Brexit akoma e paqartë edhe pas funksionimit të Parlamentit

Mos i humb

Londër

Kur fushata “Leave” (Braktis) shënoi një fitore të ngushtë në referendumin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016, askush nuk e mendoi se rezultati shokues i braktisjes së bllokut, pas një partneriteti me përfitim të ndërsjellë për më shumë se katër dekada, “do të helmonte” politikën britanike për vitet në vijim.

Referendumi, i cili u mbajt shkaku i premtimit parazgjedhor të kryeministrit të atëhershëm britanik, David Cameron, i dha fund karrierës së tij politike në një përmbysje të fatit me rezultatin e tij, pavarësisht se Cameron kishte bërë fushatë për të qëndruar në BE vetëm pak kohë pasi shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet e majit të vitit 2015.

Qeveria e re konservatore nën udhëheqjen e pasuesit të Cameron, Theresa May, ndoqi një rrugë jotransparente të negociatave me zyrtarët e BE-së, ku shpesh u akuzua se nuk dëgjonte asnjë parti tjetër politike në Dhomën e Përfaqësuesve, e as qeveritë e zhvendosura të Skocisë dhe Uellsit. Megjithatë, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, në të cilat ajo rrezikoi duke shpresuar se do të fitonte shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, por që rezultuan në humbjen e shumicës parlamentare, ajo u detyrua të merrte në koalicion DUP-in e Irlandës Veriore, ku si pjesë e marrëveshjes parashiheshin investime prej 1 miliard paund për rajonin.

Përskaj të gjitha përpjekjeve, May më në fund u detyrua që të tërhiqet nga detyra nga anëtarët e partisë së saj pasi dështoi në mënyrë të përsëritur për të marrë miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve për marrëveshjen të cilën ajo e negocioi dhe e arriti me evropianët. Klauzola irlandeze e marrëveshjes e bëri të vështirë përkrahjen edhe nga mbështetësit e Brexit-it, pasi do të nënkuptonte se Irlanda Veriore do të qëndronte në BE, një ide e refuzuar në mënyrë kategorike edhe nga DUP.

May njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministres dhe kryetares së partisë në një fjalim emocional në muajin maj.

– Boris Johnson, pezullimi i parlamenti dhe më vonë

Boris Johnson, një anëtar i fushatës “Leave” dhe një mbështetës këmbëngulës i Brexit-it, zëvendësoi kryeministren May në muajin korrik pasi anëtarët e tjerë mbështetës të Brexit-it u mblodhën për të zgjedhur udhëheqësin e Partisë Konservatore, pasi Britania duhej të kërkonte dy prolongime të datës për nga BE-ja, diçka që ata e konsideronin të papranueshme. Për ta, vendi duhej të braktiste BE-në sa më shpejt të ishte e mundur.

Në një veprim të pashembullt, Johnson muajin e kaluar “mori bekimin” nga Mbretëresha Elizabeth për një pezullim pesë-javor të parlamentit, për të cilin u tha se pezullimi ishte i nevojshëm për një program të ri qeveritar dhe për Fjalimin e Mbretëreshës.

Sidoqoftë, disa sfida juridike, një në Angli dhe një tjetër në Skoci, u dorëzuan në fushën më të lartë të betejës juridike të vendit, në Gjykatën Supreme.

Masa e pezullimit ishte përballur me kritika të rënda nga partitë e opozitës dhe madje edhe nga disa deputetë konservatore, të cilët u përjashtuan nga Partia Konservative pasi nuk votuan sipas kërkesave të Johnson-it mbi Brexit-in në një seri votimesh parlamentare, si dhe kritikuan pezullimin si antidemokratik dhe të paligjshëm.

Fjala “i paligjshëm” do të dëgjohej edhe në vendimin e Gjykatës Supreme këtë të martë, e cila e anuloi Pezullimin e Parlamentit nga ana e Johnson-it, duke e shpallur atë të pavlefshëm.

Johnson menjëherë tha se nuk pajtohet me vendimin unanim nga 11 gjykatësit, por theksoi se do ta respektojë vendimin. Megjithatë, liderët e opozitës tani i bëjnë thirrje që të japë dorëheqje pasi ka vepruar në mënyrë të paligjshme me Pezullimin e Parlamentit. 

– Cila është sfida e radhës e Brexit-it?

Askush, përfshirë edhe anëtarët më të vjetër të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk e dinë se ku do ta çojnë Brexit-in ujërat turbulente, të pabesa dhe të paeksploruara të politikës britanike.

Partitë opozitare dhe rebelët nga radhët e konservatorëve, të cilët tashmë kanë miratuar një ligj që kërkon nga Johnson të kërkojë një prolongim të tretë nga BE-ja nëse nuk mund të sigurojë marrëveshje deri më 19 tetor, tani po kërkojnë mënyra për ta detyruar atë që t’i bindet ligjit dhe të bëjë siç është e nevojshme. Kjo pasi Johnson vazhdimisht është zotuar se nuk do të kërkojë një prolongim të mëtejshëm nga Brukseli dhe se Mbretëria e Bashkuar do të braktisë BE-në më 31 tetor.

Kryeministri veçse ka bërë me dije se nuk i merr seriozisht thirrjet për dorëheqje dhe se pritet të sjellë një tjetër mocion për zgjedhje të reja të parakohshme. Deri më tani dy mocione të tilla nuk arritën të marrin mbështetje të mjaftueshme para pezullimin të Parlamentit që tani nuk ekziston më.

Opozita gjithmonë mund të përdorë instrumentin për një votë mosbesimi, por në këtë pikë Partia e Punës nuk i beson Johnson-it. Ky manovrim do ta lironte atë që të shpërbëjë parlamentin dhe të caktojë zgjedhje, të cilat mund të caktoheshin në një datë pas 31 tetorit, duke lehtësuar kështu një Brexit pa marrëveshje që ata janë përpjekur ta shmangin kaq shumë.

Përderisa parlamenti është rikthyer në funksion të mërkurën, taktikat e reja dhe zgjidhjet kreative mund të lindin në Westminster, por është një pikëpyetje e madhe se si do të veprojnë më tej politikanët britanikë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit